Në kulmin e debatit për ligjin për barazinë gjinore, kryetari i Komisionit të Shëndetësisë, Bardh Spahia, e ka nisur me nota humori dhe ironie mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë të komisionit parlamentar.
Ai bëri një deklaratë që menjëherë shkaktoi të qeshura në sallë. ‘Nëse ka në Komisionin tonë gjini tjetër të vetëdeklarohet’ iu drejtua Spahia komisionit.
“Të nderuar zonja dhe zotërinj, në dijeninë time nuk ka gjini të tjera në komisionin tonë, po pati i ftoj të vetëdeklarohen në mënyrë që tu adresohemi edhe atyre”, tha Bardh Spahia në nisje të Komisionit të Shëndetësisë.
Ndërkohë nënkryetari, Eduard Shalsi shihet duke qeshur, ndërsa komunikon me dike nga kolegët që ndodhet në komision.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për barazinë gjinore”, pas debateve dhe reagimeve pro dhe kundër tij. Projektligji u miratua në seancën e 6 nëntorit pas debateve mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe opozitës, me 77 vota pro, 36 kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Me propozimet e reja për ndryshime në projektligj, është përcaktuar se “gjini” nënkupton rolet dhe sjelljet që një shoqëri i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.
Ligji shkaktoi debate gjatë seancës parlamentare dhe jashtë saj, ndërkohë që u kundërshtua nga deputetët e partisë opozitare, pasi, sipas tyre, “qëllimi i tij është shkatërrimi i familjes”.
