Deputeti demokrat, Besart Xhaferri, ishte i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Noë” me Erla Mëhillin ku foli për vendimin e kryedemokratit Sali Berisha për të thirrur një protestë të hënën e 17 nëntorit në bulevard përpara kryeministrisë.
Xhaferri u shpreh se protesta do të jetë paqësore dhe do të jetë një thirrje ndaj çdo qytetari për çështjet që konsiderohen jetike dhe problematike.
Sakaq, deputeti mohoi lajmet se opozita do të bojkotojë parlamentin ndërsa shtoi se kauza e tubimit të tyre më 17 nëntor do të jetë kapja e shtetit.
“Do jetë një thirrje për një protestë paqësore për të gjitha zhvillimet e fundit që janë të shumta. Parlamenti është gjëja dytësore. Kauza është kapja e shtetit. Një opozite i jepet detyra për thirrjen e një proteste, detyra tani është e qytetarëve për të dalë në protestë.
Parlamenti nuk do ketë bojkot, as komisionet. Protestat duhet të jenë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Nuk do jetë një protestë që nuk do ndalojë atë ditë, por do bëhet përherë.
Strategjia qëndron në dobësimin e sistemi të shtetit. Edhe në Serbi protestat vazhdojnë prej një viti”, tha Xhaferri.
