“Një nga vrasjet më të sofistikuara që më kanë parë sytë”, Myftari: Policia të mësojë të rrethojë vendin e ngjarjes

Një atentat me karakter profesional, i kryer më 11 nëntor pranë zonës së Rinasit, tronditi kryeqytetin dhe la pas një të vrarë dhe një të plagosur rëndë. Viktima, Gilmando Dani, u qëllua me rreth 20 plumba dhe vdiq në vend; i plagosur mbeti Muçi Shaljani “Sheqeri”, i goditur me 10 plumba, dy prej tyre në kokë, ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Për profesorin e drejtësisë Kreshnik Myftari, atentati ishte një nga më të sofistikuarit që ka parë në dekadën e fundit dhe kërkoi masa strikte proceduriale nga institucionet e hetimit.

“Vrasja më parë më e sofistikuar, më e sinkronizuar e pothuajse 10 viteve të fundit. Kisha kohë që nuk dëgjoja, nuk shikoja vrasje me pritë të kësaj natyre, duke filluar që nga planifikimi deri te ekzekutimi dhe sinkronizimi i veprimeve të autorëve. Jam shtangur kur e kam parë,” tha Myftari, duke përshkruar elementët që e bëjnë ngjarjen të pazakontë për standardet vendase.

Myftari u ndal te precizioni i autorëve dhe mënyra e ekzekutimit.

“Përfundimi i objektivit është në një distancë rreth 30 metra, mënyra e afrimit me një qetësi, me një ngadalësi, me një vetësiguri, sepse është vetësiguri e jashtëzakonshme dhe kemi një sinkronizim të veprimeve të autorëve dhe e bën një nga ngjarjet më të sofistikuara.”

Ai përshkroi se të gjithë sulmuesit dinin rolin e tyre dhe vepruan të koordinuar.

“Të gjithë kanë veprimet e sinkronizuara, të gjithë e dinë rolin e tyre, të gjithë e dinë çfarë do të kryejnë. I mbledhin provat, të gjitha armët që i kanë rënë aty, sepse të kryesh një vrasje në atë orë nuk është e thjeshtë.”, tha ai.

Sipas pamjeve filmike dhe informacioneve të para, gjithçka ka zgjatur sekonda, por planifikimi qëllimisht duket se ka qenë i gjatë. Autorët dyshohet se kishin vëzhguar mjetet që përdorën disa ditë më parë, duke ngritur dyshime për mbështetje informatore.

Myftari ngriti dyshime serioze për praninë e informacionit të brendshëm.

“Një nga mundësitë është që të kenë pasur një informator brenda, përtej informacioneve që mund t’u kenë ardhur nga zyrtarë të aeroportit. Megjithatë, ajo që do t’i japë shpjegim të plotë ngjarjes, është fakti se ky mjet apo mjete të tjera i kanë vëzhguar, i kanë pritur për disa ditë në atë vend.”, shtoi ai.

Myftari vuri në dukje se kjo mungesë vigjilence, përplasur me profesionalizmin e autorëve, krijon një kombinim fatal: “Kjo është mungesë vigjilence e personave, duke ditur edhe konfliktet dhe ngjarjet ku janë të përfshirë; pra nuk e kanë menduar që një pritë mund t’u ngrihej në atë vend dhe në atë kohë.”

Eksperti i drejtësisë bëri apel të qartë për policinë dhe strukturat e hetimit.

“Ne duhet të bëjmë veprimin procedurial, nga rrethimi i vendit të ngjarjes, piketimi e të gjitha me radhë. Duhet të bëjmë veprimin; mund të ndodhë që aty të kenë lënë një qime të dorës, mund të jetë një thua.”

Ai kritikoi trendin e mbështetjes ekskluzive te teknologjia, duke nxjerrë në pah rreziqet e besimit vetëm tek pajisjet.

“Droni është shumë i sofistikuar për policinë shqiptare; duhet të mësojnë të rrethojnë vendin e ngjarjes dhe të mos lejojnë individë kuriozë të futen në vendin e ngjarjes.”

Myftari theksoi se hetimet duhet të përqendrohen në analizën e pamjeve filmike, verifikimin e automjeteve të përdorura, hetimin e mundësive të mbështetjes informatore dhe analizën balistike të armëve.

Next