Muçi Shaljani, miku i Gilmando Danit dhe agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i cili u plagos rëndë në atentatin e Rinasit, kishte sfiduar ligjin me hotelin në qendër të Tiranës. Biznesi i tij me emrin “RAMEL” kishte zënë një korsi të rrugës “Spiro Dedja” me vazo me lule.
Siç shihet dhe nga pamjet që hoteli reklamon vetë në rrjetet sociale, një korsi e rrugës është e mbyllur me vazo të mëdha lulesh prej betoni, të cilat krijojnë hapësirë ekstra në oborrin e jashtëm të hotelit, për të vendosur tavolina.
Mesa duket, njohja me eksponentë të lartë të krimit në atë zonë ku vepron kryesisht grupi i Emiljano Shullazit, por dhe detyra që kishte marrë në Shtator 2025 si agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i kishin siguruar paprekshmëri Muçi Shaljanit.
Në një kohë kur qeveria ka ndërmarrë aksionin kombëtar për lirimin e hapësirave publike, në ambientet e biznesit të Mustafa Sheqerit alias Muçi Shaljani nuk kishte mbërritur askush, pavarësisht se ai kishte zënë rrugën.
Këtë fakt e ka pohuar dhe mbrëmjen e djeshme gazetarja Klodiana Lala, e cila zbuloi detaje mjaft interesante nga jeta e Gilmando Danit duke thënë se ky i fundit shoqërohej gjatë gjithë kohës nga Muçi Shaljani dhe qëndronte në hotelin e tij, “Ramel” i cili ka zënë hapësirë publike në Tiranë.
Newsbomb.al raportoi ekskluzivisht pasditen e djeshme, se agjenti rreth 40 vjeç merrej me “marrjen dhe dhënien me qira të pasurive të paluajtshme” dhe prej vitit 2018, kishte në pronësi hotel “RAMEL” më Tiranë.

Nga një verifikim i redaksisë, rezulton se ky hotel ishte i licensuar dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, e cila në vitin 2022, e kishte njohur “RAMEL” zyrtarisht si strukturë akomoduese të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
Mustafa Sheqeri alias Muçi Shaljani ishte shofer i mjetit luksoz Mercedes Benz S Class dhe pasagjer në vendin e parë kishte Gilmando Danin.
