Gilmando Dani në “gjurmët” e Ervis Martinajt, kontigjenti shtetëror në shërbim të krimit, nga oficeri i Operacionales te efektivi i AMP-së

Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, u ekzekutua sot në një atentat të mirëorganizuar pranë aeroportit të Rinasit, ndërsa shofer i automjetit luksoz ishte miku i tij, Muçi Shaljani, agjent i AMP-së, i cili mbeti i plagosur nga breshëria e plumbave.

Ajo çka bie në sy nga kjo ngjarje kriminale është kontigjenti shtetëror i cili dukshëm është në shërbim të krimit. I ngjashëm ose i njëjtë ishte edhe rasti i mbretit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

Ky i fundit, u ndihmua nga agjenti i operacionales, Jeton Lami. Ky i fundit, për herë të fundit e ka marrë Martinajn dhe e ka transportuar në Durrës me një automjet luksoz tip “Audi A8”. Ervis Martinaj u zhduk pa gjurmë dhe ende nuk dihet zyrtarisht mbi fatin e tij ndërsa hetimet vijojnë.

Situata vijon të mbetet problematike në kufijtë e të “pabesueshmes”, sesi oficerë dhe punonjës të lartë të shtetit të cilët duhet të garantojnë sigurinë dhe rendin publik, bashkëpunojnë me persona të njohur të botës së krimit.

***

Le të rikthehemi sërish te atentati i sotëm ku u vra Gilmando Dani. Ky i fundit, së bashku me mikun e tij agjent të AMP-së, u kthyen nga Barcelona dhe mënjerhë iu drejtuan parkingut ku kishin lënë prej disa ditësh automjetin luksoz.

Menjëherë sapo kanë dalë nga ambientet e aeroportit, në rrethrrotullimin aty pranë, është qëlluar nga një automjet fillimisht në lëvizje dhe më pas, tre persona kanë dalë nga makina tip “Toyota” duke i bërë shoshë.

Gilmando Dani ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje, ndërsa Muçi Shaljani po lufton me jetën në spitalin e Trumës në Tiranë. Sipas raportimeve në media, deri tani policia ka shoqëruar vetëm një person që dyshohet të jetë informator i grupit të zjarrit.

Kamerat e sigurisë kanë filmuar personin teksa flet në telefon dhe bën ecejake në zonën pranë parkingut dhe rrethrrotullimit ku ndodhi atentati.

Tashmë pamjet filmike të aeroportit dhe sigurisht të bizneseve pranë zonës ku ndodhi atentati, janë në duart e policisë dhe po analizohet çdo detaj për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të krimit.

Pas ngjarjes, autorët u larguan menjëherë dhe në një zonë të pyllëzuar në fshatin Halil, dogjën automjetin për të zhdukur gjurmët. Pritet që autoritetet të zbardhin detaje mbi krimit.

Next