“Po afrohet stuhia”/ Tanja Porja paralajmëron: Merrni masa, ja çfarë pritet nga dita e martë

Tanja Porja ka paralajmëruar ndryshime të forta në mot duke nisur nga e marta, pas disa ditësh të ngrohta dhe me diell që do të zgjasin deri në fillim të javës së ardhshme.

Deri të hënën, vendi do të gëzojë temperatura të larta për këtë periudhë të vitit, duke arritur deri në 26 apo 27 gradë, ndërsa mëngjeset do të jenë të freskëta, tipike për nëntorin percjell shqiptari.net.

Sipas sinoptikanes, e marta do të shënojë kthesën e madhe të motit. Pritet mbërritja e një sistemi të fuqishëm me reshje të dendura, stuhi dhe rrebeshe që do të zgjasin për disa ditë pa ndërprerje.

Në disa zona, pritet që reshjet të jenë të shtrira dhe me intensitet të lartë, duke rritur rrezikun për përmbytje – veçanërisht në Vlorë dhe Durrës, të cilat konsiderohen më problematike.

“Presim katër deri në pesë ditë me reshje të forta, ndërsa i gjithë nëntori do të mbyllet me mot të paqëndrueshëm, vranësira dhe reshje të vazhdueshme,” u shpreh Porja, duke shtuar se do të ketë luhatje të mëdha temperaturash brenda 24 orëve.

Në zonat malore, pas datës 18 nëntor, pritet që të bjerë dëborë, duke zbardhur të gjithë zonat e larta të vendit. “Këtë herë, dëbora nuk do të jetë vetëm në veri, por do të prekë të gjitha zonat malore të Shqipërisë,” tha Porja.

Ekspertja paralajmëroi se mund të kemi dy sisteme të forta stuhish njëra pas tjetrës, që do të sjellin reshje mbi normat mujore të nëntorit dhe do të ndikojnë ndjeshëm në sasinë vjetore të rreshjeve në territor.

Për qytetarët, Tanja Porja rekomandoi të shfrytëzojnë ditët me diell deri të hënën dhe të tregohen të kujdesshëm më pas, ndërsa autoritetet të marrin masa paraprake për zonat me risk përmbytjesh.

Sipas saj, ky fundnëntor do të jetë një prelud i vërtetë i dimrit që po afrohet.

Next