Të dielën Shqipëria e luan ndeshjen ndaj Anglisë, ndërsa menjëherë vëmendja e kuqezinjve do të bartet te shorti i “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Shorti tërhiqet të enjten e ardhshme, më 20 nëntor, nga ora 13:00 në Zurih të Zvicrës. Shorti do të përcaktojë rrugën e Shqipërisë në “play-off”, përkatësisht rrugën drejt kualifikimit të synuar në Botërorin që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Kanada e Meksikë. Të përzgjedhurit e Silvinjos duhet të kalojnë edhe dy kundërshtarë për kualifikim historik në Kampionat Botëror. Në fakt Shqipëria edhe në “play-off”, do të paraqitet për herë të parë, kurse synimi final mbetet Botërori.
Në fazën “play-off” paraqiten 12 përfaqësueset që përfundojnë në vendin e dytë në grupet kualifikuese dhe katër përfaqësueset më të mira fituese të grupeve në Ligën e Kombeve, që nuk përfundojnë në dy pozitat e para në grupet kualifikuese për Botëror. Shqipëria është e para që ka siguruar fazën e fundit kualifikuese, ndërsa shorti do të përcaktojë kundërshtarin e gjysmëfinales dhe potencialisht të finales së “play-off”-it. Përmes kësaj faze biletën e Botërorit e sigurojnë katër përfaqësuese. Fituesit e dy gjysmëfinaleve në të gjitha katër “rrugët” e “play-off”-it, do të takohen në finale për kualifikim në Botëror.
Ndarja e vazove
12 përfaqësueset e vendit të dytë në grupe do të ndahen në tri vazo. Vazot do të caktohen në bazë të ranglistës së FIFA-s që publikohet të mërkurën. Katër përfaqësueset që në “play-off’ marrin pjesë nga Liga e Kombeve, do të jenë në vazon e katërt. Në gjysmëfinale, përfaqësueset e vazos së parë do të takohen me ato të vazos së katërt dhe përfaqësueset e vazos së dytë me ato të vazos së tretë. Ndeshjet gjysmëfinale të “play-off”-it zhvillohen më 26 mars të vitit të ardhshëm. Vendase do të jenë përfaqësueset e vazos së parë dhe të dytë. Ndërkohë, finalet e “play-off”-it janë më 31 mars. Vendasit e katër finaleve do të përcaktohen përmes shortit.
Ndeshja me Anglinë vlen për renditjen në vazo
Ndonëse ndeshja me Anglinë duket festive, ajo ka edhe rëndësi për vend në vazo. Për këtë ka folur presidenti i FSHF-së, Armand Duka. “Në play-off të gjitha janë Kombëtare të forta, të mira. Varet edhe nga ndeshja e fundit. Nuk është e thënë të mos fitojmë ndaj Anglisë, që do të na dërgonte në vazon e dytë”, ka thënë Duka. Shqipëria është paraqitur dy herë në Evropian, ndërsa Botërorit nuk i është afruar deri më tani. “Play-off”-in e siguroi të enjten duke fituar 1:0 ndaj Andorrës. Në të njëjtën kohë Anglia fitoi 2:0 ndaj Serbisë. Shqipëria përfundon e dyta në Grupin K, të cilin e ka fituar Anglia. Të paktën “play-off”-in kualifikues për Botëror e synon edhe Kosova. “Dardanët” të shtunën luajnë ndaj Sllovenisë në Lubjanë, ndërsa të martën e ardhshme e presin Zvicrën në “Fadil Vokrri”. Kosovës i duhet një pikë ndaj Sllovenisë për të siguruar plejofin. Por gjasat ekzistojnë edhe për kualifikim direkt, ndonëse kjo nuk varet vetëm nga Kosova.
