Dialogu mes Ben Blushit, ish-drejtor i Top Channel, dhe moderatores Arbana Osmani në emisionin e saj në YouTube, “Mirëmbrëma Yje”, vazhdon të mbajë në qendër të vëmendjes Ledion Liçon, i cili së fundmi ka reaguar për herë të dytë në rrjetet sociale.
Debati personal u ndez fillimisht pasi Blushi deklaroi se kishte vënë veton për ta emëruar Arbanën, dhe jo Ledionin, si prezantuese të “Big Brother”.
Në intervistë, Blushi u shpreh prerë: “Ata donin Ledionin, por unë nuk pranova. Vura veton për ty, dhe besoj se kam bërë gjënë e duhur.” Kjo deklaratë erdhi si përgjigje ndaj pyetjes së Osmanit e cila e vendosi Blushin mes zgjedhjes së saj apo Liços si prezantues.
Pak orë pas transmetimit të kësaj pjese, Ledion Liço reagoi fillimisht me një thënie filozofike të aktorit Jim Carrey në “Instastory”: “Unë mendoj se të gjithë duhet të bëhen të pasur dhe të famshëm, që të kuptojnë se kjo nuk është përgjigjja.”
Tashmë, Liço ka bërë një postim të dytë, shumë më të drejtpërdrejtë, që duket se i drejtohet situatës së krijuar.
Postimi i fundit i Ledionit, një thënie e cila u shpërnda menjëherë, thoshte: “S’po kërkoj për hakmarrjen, hakmarrja është duke kërkuar për mua.”
Kjo frazë, e interpretuar si një kundërpërgjigje e fortë ndaj zhvillimeve, sidomos pasi Osmani me vetëdije bëri pyetjen “Unë apo Ledioni?”, thellon edhe më tej perceptimin publik për tensionin e vjetër profesional mes palëve, duke lënë të kuptohet se kjo temë është më e madhe se thjeshtë një pyetje interviste.
