Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e 1 nëntorit fshatin Gjorm të Vlorës, ku Bertil Alliaj dyshohet se ka qëlluar për vdekje kushëririn e tij, Dalan Alliaj, me tetë plumba.
Sipas burimeve hetimore, Dalani kishte shkuar në banesën e Bertilit, i cili vuan një dënim prej 35 vitesh burg për masakrën e Çoles dhe aktualisht jetonte me masë sigurie në shtëpi.
Mbërritja e tij është pikasur nga Bertili përmes kamerave të sigurisë të vendosura në rrugë. Pak minuta më vonë, pasi ka dalë nga banesa, janë dëgjuar të shtënat.
Në shtëpi ndodheshin familjarët e Bertilit, të cilëve rreth orës 20:00 ai u kishte thënë se do të takonte një shok. Sapo janë dëgjuar krismat, të afërmit kanë dalë jashtë dhe kanë gjetur Dalan Alliajn të pajetë pranë automjetit.
Një prej familjarëve ka deklaruar për policinë se Bertili, në momentet pas të shtënave, u ka pranuar se e kishte vrarë kushëririn dhe u ka kërkuar të njoftojnë autoritetet, duke konfirmuar se ai ishte autori. Po ashtu, ai mësohet t’u ketë thënë se nuk do ta shihnin më, duke lënë të kuptohet se mund të tentojë vetëvrasjen.
Ndërkohë, dy të afërm kanë transportuar me urgjencë Dalanin drejt spitalit, por ai ka humbur jetën për shkak të plagëve të rënda.
Motivi i krimit mbetet ende i paqartë, pasi Bertil Alliaj ka refuzuar të bashkëpunojë me hetuesit. Policia dhe prokuroria po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes.
