Gazetari Elton Qyno është shprehur se në momentin e atentatit në Rinas ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, nuk ka pasur prezencë policie, pasi ishin në një mbledhje në Tiranë.
Qyno shprehet se edhe po të kishte pasur polici, nuk do kishte asnjë ndryshim pasi skuadra e atentatorëve ishte e mirëorganizuar.
Gazetari solli si shembull rastin e Artan Santos ku vrasësi ka qenë me pistoletë dhe polici nuk ka bërë dot as edhe një lëvizje.
“Ditën kur ka ndodhur ngjarja, efektivët e Policisë Rrugore janë tërhequr në Tiranë sepse ka pasur një mbledhje dhe nuk ka pasur punonjës policie.
Por edhe nëse do të kishte pasur, skuadra që u shfaq me atë lloj armatimi dhe aq blic në ato momente, nuk besoj se do ta kishte problem, një efektiv policie aty.
Kemi rastin e Santos, ku vrasësi ka qenë me pistoletë dhe polici nuk ka bërë dot as edhe një lëvizje. Mjafton që i ka drejtuar pistoletën autori dhe më pas është larguar. Dhe jo vetëm që s’ka bërë asnjë lëvizje, por edhe nuk ka vijuar ta ndjekë motorin. Edhe në këtë rast, nëse do të ishte polici, nuk besoj se do të kishim një reagim nga ana e policisë së shtetit, sepse kishim katër persona me katër kallashnikovë dhe që aty janë hedhur mbi 80 plumba, që ishte një vendngjarje që vetëm zverdhte pjesa e rrugës nga ato gëzhojat e bronzit.”-u shpreh Qyno.
