Gjoba 4 mln € ndaj Prestige Resort, Erion Braçe kundër Tatimeve: Duhet të logjikojnë! Po mbysin biznesin, bie në kontraditë me “Paqen Fiskale”

Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar ashpër sjelljen e administratës tatimore ndaj bizneseve, duke e cilësuar vendosjen e gjobave të mëdha si një goditje direkte ndaj sipërmarrjes së vogël.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, Braçe tha se, ndonëse Tatimet po performojnë mirë në mbledhjen e të ardhurave, qasja e tyre ndaj bizneseve të vogla mbetet problematike.

“Në aspektin e mbledhjes së të ardhurave po performojnë mirë. Ne po shkojmë në nivelin e 29.8% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar të të ardhurave”, u shpreh Braçe.

Por ai shtoi se te biznesi i vogël situata është krejt tjetër:
“T’i vendosësh gjobë 3 mln lekë një restoranti që punon 1 herë në javë në mes të pyllit, ti e vret atë. Apo nëse i shkon një dyqani të vogël që t’i kërkon faturë për qumështin dhe i vë gjobë marramendëse, e mbyt. Duhet filluar dhe të logjikosh.”

Sipas tij, logjika e vendosjes së gjobave nuk duhet të jetë penalizimi, por mbledhja e detyrimeve:
“Ty të intereson të arkëtosh gjobën apo të arkëtosh detyrimin që duhet të mblidhje? Marrëveshja për ‘paqen fiskale’ do parë e gjithë sjellja. Kur ti me paqen fiskale vendos si parim bazë arkëtimin e parave, këto gjoba marramendëse për çfarë duhen!”

Gjatë intervistës, moderatorja Tufa përmendi edhe rastin shumë të komentuar të gjobës 4 milionë euro ndaj Prestige Resort dhe News24 nga Tatimet. Braçe theksoi se nuk komenton çështje të veçanta:
“Po flas në parim. Nuk i di rastet konkrete dhe nuk mund të gjykoj. Rastet konkrete ndiqen në rrugë gjyqësore dhe do të duhet të flasë gjykata.”Ai nënvizoi sërish se qasja e duhur duhet të jetë mbështetja e biznesit, jo penalizimi ekstrem:
“Nisur nga parimi që ka marrëveshja për ‘paqen fiskale’, mua më intereson që të arkëtohen paratë. Kjo duhet të jetë sjellja. Pastaj pjesa tjetër edhe mund të ndëshkohesh për sjellje fiskale. Por jo t’i marrim shpirtin një biznesi të vogël.”

Next