U helmuan nga ushqimi në hotel, humbin jetën dy fëmijët në Stamboll

TURQI – Një ngjarje e rëndë ka tronditur Stambollin, ku tre anëtarë të një familjeje turistike kanë humbur jetën pas një helmimi të dyshuar me pesticide. Familja turke, rezidente në Gjermani dhe me pushime në qytetin historik, u sëmur pasi konsumoi ushqim rruge në zonën turistike të Ortakoy-t, në bregun evropian të Bosforit.

Dy fëmijët, të moshës 3 dhe 6 vjeç, ndërruan jetë të enjten, ndërsa e ëma humbi jetën të premten, konfirmoi Ministria e Drejtësisë. Mediat ndërkombëtare raportuan se helmimi mund të jetë lidhur me ushqime të blera nga shitës ambulantë, përfshirë midhje dhe patate të mbushura. Restoranti ku familja kishte konsumuar ushqim është mbyllur nga autoritetet.

Ndërkohë, dy turistë të tjerë që qëndronin në të njëjtin hotel u shtruan sot në spital, pasi kanë shfaqur simptoma të ngjashme, si të përziera dhe të vjella. Hetuesit zbuluan se një dhomë në katin përdhes të hotelit ishte spërkatur së fundmi me pesticide, çka ka shtuar dyshimet mbi burimin e helmimit.

Policia ka arrestuar një punonjës të hotelit dhe dy punonjës të kontrollit të dëmtuesve, duke e çuar në shtatë numrin e personave të shoqëruar deri tani në lidhje me këtë çështje. Katër të tjerë ishin arrestuar më herët.

Të gjithë vizitorët e hotelit janë transferuar në struktura të tjera akomoduese, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të personave të prekur.

Next