Policia vendore e Shkodrës ka zbardhur dinamikën e atentatit që ndodhi mbrëmjen e kalur në këtë qytet, ku u qëllua me armë zjarri ndaj shtetasit Edison Tirana.
Lidhur me rastin janë arrestuar dy autorët e ngjarjes Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj, banues në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe ndërsa është shpallur në kërkim nipi i tyre.Këta dy shtetas dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë automjetin e shtetasit Edison Tirana, 42 vjeç banues në fshatin Trush të njësisë Bërdicë në Shkodër dhe më pas e kanë rrahur atë.
Si nisi sherri
Konflikti mes tyre ka nisur që në doganën e Hanit të Hotit për çështje parakalimi. Dy automjetet kanë parakaluar disa herë njëra tjetrën ndërsa kanë bërë edhe një debat fillimisht mes tyre.
Pas parakalimeve, në afërsi të rrethrrotullimit të Koplikut, shtetasit Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme automjetin tip “Mercedes Benz” të Edison Tiranës.
42 vjeçari nga plumbat që ka marrë edhe në gomat e makinës ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën e një karburanti. Edison Tirana ka dalë nga auromjeti dhe është futur në një tokë aty afër për t’i shpëtuar ndjekies së autorëve.
Autorët e dyshuar i janë vënë pas dhe pasi e kanë gjetur në vendin ku tentoi të fshihej e kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëme në trup.
42 vjeçari Edison Tirana rreth orës 19:30 u paraqit në spitalin e Shkodrës ndërsa është jashtë rrezikut për jetën dhe pasi mori mjekim dha dëshminë e tij në polici duke treguar konfliktin që nisi për parakalimin që nga dogana e Hanit të Hotit.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 15 nëntorit.
