Sulmuesi Armando Broja shkaktoi shqetësim të madh mbrëmjen e djeshme (e diel, 16 nëntor), pasi pësoi një dëmtim dhe u largua para kohe nga fusha në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Anglisë.
Teksa ndeshja në “Air Albania” po shkonte drejt fundit, me miqtë që triumfonin 2-0, Broja, i cili kishte vetëm pak minuta që ishte futur në lojë, u detyrua të largohej i dëmtuar nga ajo që dukej një goditje e rëndë në pjesën e kaviljes.
Pas ndeshjes, për gjendjen e tij ka folur miku dhe kolegu i tij në kombëtare, Kristjan Asllani. Ai zbuloi se Broja kishte marrë një goditje në kavilje dhe se testet e para po bëheshin menjëherë pas ndeshjes.
Sipas Asllanit, doktori i ekipit bëri me dije se fatmirësisht nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz, pasi nuk kishte ënjtje të kaviljes.
Në një rast të tillë, skenari më i keq për sulmuesin mund të jetë një mungesë prej 2 deri në 4 javë larg fushave të blerta.
Megjithatë, pritet ende ekspertiza përfundimtare mjekësore, e cila do të bëhet e ditur gjatë ditës së sotme (e hënë, 17 nëntor) për të përcaktuar saktësisht kohën e rikuperimit.
