“Pusulla” që Berisha i la sot Altin Dumanit, flet edhe për 21 Janarin: S’më kanë thirrur me parë sepse kanë frikë nga dëshmia ime
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me qëllim për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen “Partizani”.
Ashtu sikurse dhe herët e kaluara, ish-kryeministri edhe ditën e sotme i ka lënë një “pusullë” kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin.
Berisha tha se në shënimin e lënë sot i “tërhoqi vërejtje” Dumanit se është duke i bërë atentat rendit demokratik me vendimet e tij antikushtetuese.
“Altin Troplinit, Pojës së Skapit, krimi i tij antikushtetues, amnistia e krimit elektoral, përbën atentat në themel të rendit demokratik dhe pluralizmit dhe është faktor madhor në instalimin e narkoshtetit apo shtetit të Troplinëve, Farrukëve, Hajrëve, shërbëtor i të cilëve është Altin Troplini”, shkruhej në mesazhin që Berisha ia la kreut të SPAK.
Gjithashtu, ai u pyet nga gazetarët dhe sa i përket arsyes së mosparaqitjes së tij pranë Prokurorisë së Posaçme lidhur me dosjen “21 Janari”.
Duke theksuar për të disatën herë që nuk e kishte marrë fletëthirrjen, ish-kryeministri shtoi se ai nuk është thirrur asnjëherë nga drejtësia lidhur me ngjarjen e përgjakshme të 21 Janarit të 2011 ku u vranë padrejtësisht 4 protestues pasi sipas tij kanë “frikë nga dëshmia ime”.
“Njoftim quhet kur një person merr përsipër ta njoftojë ose kur njoftohet direkt personi. Asnjë person nuk më ka ardhur të më thotë orë dhe datë e të më dorëzojë një letër. Asnjë person nuk ka marrë asnjë letër në emrin tim. Kam dy posta elektronike. Një timen dhe një të Parlamentit që e kam përdorur vetëm një herë. Në bisedat e mia në Whats App apo sinjal, nuk më ka ardhur asgjë. Nuk më kanë thirrur asnjë herë sepse kanë pasur frikë nga dëshmia ime”, tha Berisha.
