Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, lëshoi një paralajmërim të ashpër se vera e kaluar “mund të ketë qenë vera e fundit paqësore” për Evropën, pasi vlerësoi se një konflikt i mundshëm midis NATO-s dhe Rusisë mund të ndodhte para vitit 2029.
Deklaratat provokuan një reagim të menjëhershëm nga Moska.
Pistorius tha se deri vonë, Gjermania dhe NATO e konsideronin të mundur një sulm rus ndaj Aleancës nga viti 2029 e tutje, megjithatë, vlerësimet më të reja flasin për një përshkallëzim të mundshëm që në vitin 2028.
“Disa historianë ushtarakë besojnë se ne e kemi përjetuar tashmë verën e fundit paqësore”, tha ai.
Ministri gjerman theksoi se vendet e NATO-s kanë nevojë urgjente për modernizim dhe riarmatim, duke vënë në dukje se Gjermania është tashmë në një fazë përgatitjeje. Nga viti 2027, qytetarët do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore për të identifikuar rezervistët e mundshëm në të ardhmen në rast emergjence, ndërsa qeveria planifikon të krijojë një forcë të madhe rezervë për të forcuar mbrojtjen e vendit.
Kancelari Friedrich Merz ka deklaruar se qëllimi i tij është ta bëjë Bundesëehr-in forcën më të fortë ushtarake në Evropë. Pistorius ka treguar gjithashtu se, nëse Gjermania sulmohet, ajo është gati “të vrasë ushtarë rusë”.
Sipas tij, paqja mund të sigurohet vetëm me forcë dhe gatishmëri për mbrojtje, një pozicion që pasqyron ngurtësimin e qëndrimit të Gjermanisë ndaj Moskës.
Pas kësaj, nuk kemi dyshim se kush po vepron si agresor, u përgjigj Moska.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, reagoi ndaj deklaratave të Pistorius, duke pohuar në një deklaratë për agjencinë TASS se “pas këtyre fjalëve nuk ka dyshim se kush po vepron si agresor”.
Moska ka qenë veçanërisht kritike ndaj raporteve për një konflikt të afërt, duke akuzuar Gjermaninë për retorikë agresive.
Deklaratat e Pistorius janë pjesë e një interviste që ai dha më 15 nëntor për Frankfurter Allgemeine Zeitung , ku ministri gjerman argumentoi se rreziku i luftës nuk është teorik, por kërkon përgatitje dhe vendosmëri nga shtetet e Aleancës.
Siç vuri në dukje ai, NATO ka aftësi të konsiderueshme parandaluese, përfshirë armët bërthamore, të cilat – sipas tij – kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit, pavarësisht rritjes së tensioneve.
