Gjykata e Posaçme nisi sot (17 nëntor) gjykimin në mungesë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, për dosjen e njohur si “Buka”, ku është marr i pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Në këtë seancë, Ahmetaj u përfaqësua nga avokati Henrik Ligori, teksa SPAK bëri me dijeni edhe një shkresë të Interpolit, që njoftonte se ish-numri dy i qeverisë ndodhej në Zvicër, pa lokacion të detajuar dhe pa dijeni të hollësishme mbi procedurat.
Prokurori Elvin Gokaj lexoi para gjyqtares kërkesën për gjykimin e ish-zëvendëskryeministrit, duke parashtruar se procedimi në fjalë është regjistruat në 2022, pas kallëzimit të një qytetari, mbi procedurën e privatizimit të shoqërisë “Buka Sha”.
Sipas SPAK, Ahmetaj ka firmosur një urdhër për privatizimin e firmës, edhe pse kishte disa vendime Gjykate që e ndalonte këtë gjë.
SPAK kërkoi po ashtu pyetjen e disa dëshmitarëve në këtë proces, i cili po zhvillohet me procedurë të zakonshme.
Gjykata lexoi shkresën e Interpolit. Sipas institucionit, Ahmetaj ndodhet në Zvicër, vend ku Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesë për ekstradimin e tij. Por Interpoli shpjegoi se nuk ka dijeni mbi ecurinë e procedurave dhe vendndodhjen e tij më saktë.
