“I dhanë disa mjekime dhe e larguan”, vdekja e 49-vjeçares në Korçë, policia nis hetimet për neglizhencë mjekësore

Policia e Korçës ka nisur hetimet pas vdekjes së një 49-vjeçarje një ditë më parë në këtë qytet.

Gentiana Nano u dërgua në urgjencën e spitalit të Korçës tre ditë më parë pasi kishte shfaqur probleme në frymëmarrje. Pas trajtimit në shërbimin e urgjencës ajo u dërgua në shtëpi, megjithatë sipas familjarëve ajo sërish nuk ishte mirë. Një ditë më parë i biri dhe bashkëshorti e gjetën 49-vjeçaren të pajetë në dhomë.

Djali i saj Erdiol Nano ka hedhur akuza kundrejt mjekëve të spitalit të Korçës duke thënë se këta të fundit nuk kanë treguar kujdesin e nevojshëm për nënën e tij.

“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. Nuk ishte mirë dhe tha do të shkojmë në spital. E çuam, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihet mirë por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë?

Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër”, tha ai dje për mediat.
Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi familjarët e shtetases G. N., 49 vjeçe, që humbi jetën në Spitalin Rajonal Korçë, më datë 16.11.2025, kanë kallëzuar për neglizhencë gjatë trajtimit mjekësor.

Materialet proedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Next