Bashkëpronar i një restoranti, ekzekutohet me armë zjarri 44-vjeçari shqiptar në SHBA

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në shtetin e Michiganit, në SHBA, ku një 44-vjeçar shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri jashtë restorantit ku punonte. Viktima është identifikuar si Francesk Shkambi, me banim në Howell, i cili ishte menaxher dhe bashkëpronar i restorantit Prime 7 në Commerce Township.

Sipas raportimeve në mediat amerikane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 me orën lokale, teksa Shkambi u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit. Ai u transportua në spital, por ndërroi jetë pak më vonë për shkak të plagëve nga arma e zjarrit.

Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u dorëzua vetë në polici dhe u vu në pranga pa rezistencë. Hetuesit sekuestruan një pistoletë 9 mm që dyshohet se është arma e krimit; sipas autoriteteve, ajo rezultonte e vjedhur më parë.

Policia bën me dije se viktima dhe autori njiheshin personalisht me njëri-tjetrin dhe se mes tyre kishte një konflikt që ishte përshkallëzuar kohët e fundit. Shkaku i saktë i përplasjes mes tyre nuk është bërë publik ende, ndërsa çështja pritet t’i kalojë prokurorisë për ngritjen e akuzave.

Familjarët dhe stafi i restorantit e kanë përshkruar Shkambin si një njeri të dashur, punëtor dhe të përkushtuar ndaj komunitetit. Restoranti Prime 7 njoftoi se pas ngjarjes do të qëndronte i mbyllur për shkak të ngjarjes së rëndë..joqalbania

Next