Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar liroi nga qelia ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistrin.
Togat e zeza vendosën që të shuanin akuzat që rëndonin ndaj Bistrit, i cili ra në pranga e drejtësisë në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Siç thuhet qartë dhe në vendimin e zbardhur, GJKKO e shpalli të pafajshëm për akuzën e korrupsionit pasiv dhe për atë të pastrit të parave, pasi faktet nuk u provuan.
Ai u dënua vetëm për zbulim të të dhënave sekrete, për të cilat mori 3 vite burg, që pas uljes përfundoi në 2 vite burg. Duke qenë se koha në paraburgim ishte më e gjatë se dënimi, atëhere ish-shefi i Operacionales fitoi lirinë.
Gjithashtu, GJKKO ka rrëzuar edhe kërkesën për konfiskimin e pasurive. Bistrit i rikthehen pronat e sekuestruara me urdhër të SPAK.
Dënimet për Behar Brajoviq:
Gjykata e shpalli fajtor për disa vepra të rënda, duke përfshirë sigurimin e kushteve për vrasje ndaj disa personave, mbajtje armësh pa leje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Fillimisht, dënimet e ndara arrinin deri në 13 vite burg, por me uljen për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar rezultoi 8 vite e 8 muaj burg. Ai do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Dënimet për Edmond Prekën:
Edhe Edmond Preka u shpall fajtor për sigurimin e kushteve për vrasje, mbajtje armësh pa leje dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Dënimi i bashkuar ishte 10 vite e 6 muaj burg, por pas uljes u vendos që të vuajë 7 vite burg, po ashtu në burg të sigurisë së lartë.
Dënimet për Astmer Bilalin:
Astmer Bilali u dënua për sigurimin e kushteve për vrasje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Pas bashkimit të dënimeve dhe uljes nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë 5 vite e 8 muaj burg.
Dënimet për Xhevahir Litën:
Xhevahir Lita u shpall fajtor për zbulim të të dhënave sekrete dhe korrupsion pasiv në dy episode të ndryshme, të lidhura me çështje penale për të cilat ai ka pasur qasje si funksionar i drejtësisë.
Dënimi i bashkuar ishte 5 vite burg dhe pas uljes përfundoi në 3 vite e 4 muaj burg. Gjykata vendosi që ai të lirohet menjëherë, pasi koha e kaluar në paraburgim ishte më e madhe se dënimi final, me kusht që të mos jetë i arrestuar për ndonjë çështje tjetër.
Vendimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 9, të vitit 2023”, të pandehur Behar Brajoviq, Edmond Preka, Astmer Bilali, Oltian Bistri dhe Xhevahir Lita.
Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, me vendimin nr. 73, datë 18.11.2025, vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Behar Brajoviq, për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit K.M, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe në bazë të neneve 80, 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 9 (nëntë) vjet burgim.
1.1 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Behar Brajoviq, për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve D.D, G.T dhe I.L, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe në bazë të neneve 80, 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
1.2 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Behar Brajoviq për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi 1, 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
1.3 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Behar Brajoviq, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
1.4 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Behar Brajoviq, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
1.5 – Në bashkim të dënimeve, bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, i pandehuri Behar Brajoviq dënohet me një dënim të vetëm prej 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.
1.6 – Në zbatim të nenit 406, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Behar Brajoviq i ulet 1/3 e dënimit të dhënë dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
1.7 – Vuajtja e dënimit për të pandehurin Behar Brajoviq fillon nga data e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Edmond Preka, për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit K.M, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80, 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
2.1 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Edmond Preka për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi 1, 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
2.2 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Edmond Preka, për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
2.3 – Në bashkim të dënimeve, bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, i pandehuri Edmond Preka dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
2.4 – Në zbatim të nenit 406, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Edmond Preka i ulet 1/3 e dënimit të dhënë dhe përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vjet burgim.
2.5 – Vuajtja e dënimit për të pandehurin Edmond Preka fillon nga data e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Astmer Bilali, për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasve D.D, G.T dhe I.L, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80, 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
3.1 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Astmer Bilali, për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
3.2 – Në bashkim të dënimeve, bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, i pandehuri Astmer Bilali dënohet me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
3.3 – Në zbatim të nenit 406, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Astmer Bilali i ulet 1/3 e dënimit të dhënë dhe përfundimisht dënohet me 5 (pesë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
3.4 – Vuajtja e dënimit për të pandehurin Astmer Bilali fillon nga data e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Xhevahir Lita, për kryerjen e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a paragrafi 3 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
4.1 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Xhevahir Lita, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në lidhje me faktin që lidhet me procedimin e dërguar për kompetencë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, ndaj shtetasit Behar Brajoviq etj., parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
4.2 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Xhevahir Lita, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në lidhje me faktin penal që lidhet me procedimin penal nr. 193/2021 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
4.3 – Në bashkim të dënimeve, bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, i pandehuri Xhevahir Lita dënohet me një dënim të vetëm prej 5 (pesë) vjet burgim.
4.4 – Në zbatim të nenit 406, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Xhevahir Lita i ulet 1/3 e dënimit të dhënë dhe përfundimisht dënohet me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
4.5 – Shuarjen e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar ndaj të pandehurit Xhevahir Lita me vendimin nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
4.6 – Urdhërohet lirimi i të pandehurit Xhevahir Lita nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet në to në zbatim të ndonjë vendimi tjetër penal, për shkak se pjesa e vuajtur është më e madhe se dënimi i caktuar.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Oltian Bistri, për kryerjen të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, bazuar në nenin 338 pika 1 shkronja “b”, pasi fakti nuk përbën vepër penale.
5.1 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Oltian Bistri, për kryerjen e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a paragrafi 2 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
5.2 – Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Oltian Bistri, për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287/1 shkronja “b” e Kodit Penal, bazuar në nenin 338 pika 1 shkronja “b”, pasi fakti nuk provohet se ekziston.
5.3 – Në zbatim të nenit 406, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Oltian Bistri i ulet 1/3 e dënimit të dhënë dhe përfundimisht dënohet me 2 (dy) vjet burgim.
5.4 – Shuarjen e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar ndaj të pandehurit Oltian Bistri me vendimin nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
5.5 – Urdhërohet lirimi i të pandehurit Oltian Bistri nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet në to në zbatim të ndonjë vendimi tjetër penal, për shkak se pjesa e vuajtur është më e madhe se dënimi i caktuar.
Në lidhje me provat materiale, bazuar në nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata disponon si më poshtë:
– Provat materiale të sekuestruara të pandehurve Pëllumb Gjoka, Behar Brajoviq, Edmond Preka, Ardrit Hasanbegaj, të mbeten pjesë e procedimit penal/çështjes penale të ndarë.
– Për të pandehurin Astmer Bilali, bazuar në nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale si më poshtë: DVR e markës HIKVISION model DS2708HUHI-K1 me numër serial ****; DVR e markës HIKVISION model DS7208HUHI-M1/S/A me numër serial ****; iPad-iPhone model A2602 me numër serial ****; dy baza karikimi për radio model CH5 të markës BOAFENG; paruke në dukje ngjyrë rozë; kamera kurth me ngjyrë në dukje kamuflazh në pjesën e përparme dhe pjesa e pasme në dukje ngjyrë e zezë e cila ka një kartë memorie të markës Advance Media 32 GB, ku në pjesën e pasme ka të shënuar ****, të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit.
– Për të pandehurin Xhevahir Lita, bazuar në nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale si më poshtë: pistoletë Glock me nr. serie ****; krëhër rezervë; kuti plastike vegla pastrimi; fishekë 9×19 mm 59 copë; autorizim për mbajtje arme zjarri; dhe 1 telefon i markës iPhone 14 Pro Max me nr. IMEI ****, të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit.
– Për të pandehurin Oltian Bistri, bazuar në nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale si më poshtë: një USB ngjyrë të zezë me numër serie ****; një kuti për aparat telefonik iPhone me numër IMEI ****; një iPhone me ngjyrë të zezë në gjendje të ndezur, i cili ka të vendosur një kartë SIM me numër serial ****; një iPhone me ngjyrë vjollcë në gjendje të fikur, brenda të cilit ka një kartë SIM me nr. ****, t’i kthehen të pandehurit.
– Rrëzimin e kërkesës për konfiskimin e pasurive: 230,000 euro; 200,000 euro; 50,300 euro; 320,000 euro dhe 200,000 euro, në total 1,000,300 (një milion e treqind mijë) euro, shuma të cilat janë depozituar në AAPSK; sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, ndodhur në katin e ****, shkalla ****, me sipërfaqe totale 400 m², e fituar me kontratën e sipërmarrjes nr. **** Kol ****, datë 09.03.2019, e porositur nga shtetasi D.I.B; sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, ndodhur në katin e ****, shkalla ****, me sipërfaqe totale 400 m², e fituar me kontratën e sipërmarrjes nr. **** Rep, nr. **** Kol, datë 09.03.2019, e porositur nga shtetasi E.D.B; sipërfaqe ndërtimore e llojit njësi dyqan, me sipërfaqe totale 125 m², e fituar me kontratën e sipërmarrjes nr. **** Rep, nr. **** Kol, datë 11.07.2017, e porositur nga shtetasi E.D.B; sipërfaqe ndërtimore e llojit njësi dyqan, me sipërfaqe 95 m², e fituar me kontratën e sipërmarrjes nr. **** Rep, nr. **** Kol, datë 11.07.2017, e porositur nga shtetasja N.T.B; sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament i ndodhur në katin e ****, me sipërfaqe totale 110.6 m², e fituar me kontratën e sipërmarrjes nr. **** Rep, nr. **** Kol, datë 25.02.2019, e porositur nga shtetasi Oltian D. Bistri, si të pabazuar në ligj e prova.
Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, sipas procesverbalit bashkëlidhur këtij vendimi, u ngarkohen të pandehurve të këtij gjykimi dhe bashkëpandehurve të tjerë të këtij procedimi penal, në mënyrë solidare.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
