Për herë të parë pasi u mor e pandehur nga SPAK për aferën e Tunelit të Llogarasë, Belinda Balluku është shfaqur në Kuvend.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë prej 31 tetorit kur u mor e pandehur nuk është shfaqur as në Kuvend dhe as në Komisionet Parlamentare ku është prezantuar buxheti.
Në mënyrë të përsëritur, opozita ka kërkuar prezencën e saj për të dhënë sqarime.
Ballukut iu komunikua akuza “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” me 31 tetor.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarisë – një segment prej 5.99 kilometrash që i kushtoi taksapaguesve 18.9 miliardë lekë ose më shumë se 190 milionë euro.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale në ngarkim të Ballukut kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për procedurën e prokurimit “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë).
Kjo procedurë është zhvilluar në datën 11 dhjetor të vitit 2020 dhe pas anulimit të saj, është rihapur më datë 22 qershor të vitit 2021, me fond limit, 18 miliardë e 967 milionë lekë, pa TVSH ose më shumë se 180 milionë euro.
