Kryeministri Edi Rama ka folur edhe një herë tjetër për rritjen e pagave nga muaji janar i vitit 2026.
Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se nga janari paga minimale do të jetë 500 euro, por sipas tij kjo rritje do të vijojë në mënyrë që brenda mandatit të katër të shkojë në 700 euro. Kryeministri tha nder te tjera se ndryshuan edhe pagën mesatare në sektorin privat në 1000 euro, ndërkohë që paga mesatare e përgjithshme është 840 euro.
Kryeministri u shpreh se 10 mijë e 600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, aktivistë, arkivistë, magazinier, protokollistë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lek të reja në muaj.
“Nga ana tjetër një tjetër zotim i dhënë në pranverë dhe që mbahet në këtë buxhet, është rritja e pagës minimale që qysh prej janarit do të jetë 500 euro dhe do të jetë një pagë që do të vazhdojë të rritet brenda mandatit të katërt me objektivin ambicioz që deri në fund të këtij mandati, paga minimale në Shqipëri të jetë 700 euro.
Më tutje dua të them se në ndërkohë buxheti bën edhe një rritje tjetër domethënëse të pagave, pasi rritja e pagës minimale nuk është vetëm një rritje e pagës minimale në vetvete, por është edhe një shtytje nga poshtë, lartë për të rritur pagat më sipër dhe faktikisht duhet kujtuar se e filluam me përjashtim nga tatimi mbi pagën i atyre që kishin pagë minimale 300 euro. E vazhduam më pas me ata që pagën minimale e morën 400 euro dhe sot do ta vazhdojmë me ata që pagën e kanë 500 euro. Që përbëjnë rreth 35% të të punësuarve.
Paga minimale në Shqipëri kur ne morëm detyrën ishte vetëm 175 euro. Ajo sot shkon në 500 euro dhe në ndërkohë duhet ta mbajmë mirë parasysh se pesha e të punësuarve me pagë minimale në tregun e punës ka rënë nga 60% në 14%, gjë që tregon një rritje të vazhdueshme drejt pagave më të larta.
Ne e kemi dyfishuar pagën mesatare në sektorin privat e cila sot është shumë me e lartë se ç’ishte dhe e kemi çuar pagën mesatare në sektorin publik në 1000 euro, ndërkohë që paga mesatare e përgjithshme është 840 euro.
Për herë të parë do të fusim edhe indeksimin periodik të pagës çdo dy vjet për administratën publike, në mënyrë që të vazhdojmë të fuqizojmë familjen dhe të mbështesim rritjen e standardit të jetesës.
Gjithashtu kemi parashikuar përsëri për herë të parë dhe rritjen e diferencuar pagash për të mbështetur më shumë punonjësit me paga më të ulëta dhe për të siguruar një shpërndarje më të drejtë të kompensimit të gjithë administratës. Kështu si më poshtë 10 mijë e 600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, aktivistë, arkivistë, magazinier, protokollistë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lek të reja në muaj.”– tha Rama.
