Kupa e Botës 2026/ Kombëtarja në Vazon 3 të ‘play-off-it’, nëse kalon në finale ndryshojnë rregullat! Përballet vetëm me …

Kombëtarja shqiptare e futbollit do mësojë sot rivalin në gjysmëfinalet play-off të Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë kanë shmangur një përballje kundër Kosovës, pasi të dyja skuadrat ndodhen në Vazon e 3-të.

Sa i takon ndeshjes së parë gjysmëfinale, Shqipëria do “peshkojë” një skuadër që ndodhet në Vazon e Dytë, pra një mes Polonisë, Uellsit, Çekisë apo Sllovakisë. Ndeshjen e parë tanët do e luajnë jashtë fushë, pasi ekipet e Vazos 2 kanë koeficient më të lartë në FIFA dhe kanë favorin që ta luajnë sfidën teke në shtëpi. Ndeshja, nëse koha e rregullt mbyllet në barazim, më pas i drejtohet shtesës 30 minutëshe dhe penalltive.

Ndryshe do jenë rregullat nëse Shqipëria kalon në finalen play-off. Në këtë pikë, tanët do përballeshin me një prej ekipeve të kualifikuara nga përballjet e Vazos 1 dhe asaj 4. Gjithashtu do ketë një short për ekipin që do jetë pritës, duke hequr favorin e renditjes në FIFA.

Rregullat e ndeshjeve play-off të Kupës së Botës 2026

16 skuadrat e play-off-it janë të ndara në katër vazo. Dymbëdhjetë vendet e dyta të grupeve vendosen në tre vazot e para bazuar në renditjen e FIFA-s të nëntorit 2025 (Shqipëria dhe Kosova do të jenë në Vazon 3), ndërsa katër ekipet e Ligës së Kombeve do të vendosen në Vazon 4.

Për gjysmëfinalet, shorti do të përballë ekipet nga Vazo 1 me ato nga Vazo 4 dhe ekipet nga Vazo 2 me ato nga Vazo 3 (ekipet nga Vazo 1 dhe Vazo 2 do të luajnë në shtëpi për gjysmëfinale). Fituesi i ndeshjes Vazo 1-4 do të përballet më pas me fituesin e ndeshjes Vazo 2-3.

Shqipëria, kundërshtarët e mundshëm në fazën play-off

Ekipi i Sylvinhos (në Vazon 3 së bashku me Kosovën, Irlandën dhe Bosnjë Hercegovinën) do të luajë gjysmëfinalen e play-off jashtë fushe kundër njërës prej katër ekipeve të shortuara në Vazon 2: Polonia, Uellsi, Republika Çeke dhe Sllovakia.

Finalja, nëse do të arrihet nga tanët, do të luhet kundër njërës prej ekipeve fituese nga Vazo 1 ose 4. Në Vazon 1 gjenden (Itali, Danimarkë, Turqi, Ukrainë), në Vazon 4 gjenden (Suedi, Rumani, Maqedoni e Veriut, Irlandë e Veriut).

Ndarja e vazove play-off për shortin e gjysmëfinaleve të të enjtes, në zonën UEFA:

Vazo 1: Itali, Danimarkë, Turqi, Ukrainë

Vazo 2: Poloni, Uells, Çeki, Sllovaki

Vazo 3: Irlandë, Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë

Vazo 4: Suedi, Rumani, Maqedoni e Veriut, Irlandë e Veriut

Next