Niveli i ujit në zonën e kënetës së fshatin Myltes në Tale të Lezhës është rritur ndjeshëm gjatë orëve të natës, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, oborre banesash dhe sipërfaqe bujqësore.
Sipas banorëve, situata është përkeqësuar pasi argjinatura e kanalit kryesor është çarë, duke lejuar depërtimin e menjëhershëm të prurjeve të mëdha të ujit nga kënetat përreth.
Banorët raportojnë se uji po shtohet me shpejtësi dhe po përparon drejt zonave të banuara, çka ka rritur ndjeshëm shqetësimin për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Ata kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile, për të shmangur dëme të tjera.
