Rreth 180 hektarë tokë të përmbytura në zonat e Lushnjës dhe Divjakës, lumi Seman del nga shtrati! Evakuohen stanet me bagëti

Gjatë 24 orëve të fundit, situata nga reshjet e shiut në Lushnjë dhe Divjakë ka qenë përgjithësisht normale, pa prani uji në tokat bujqësore edhe në zonat që tradicionalisht përmbyteshin çdo vit.

Të tre hidrovorët kryesorë të zonës vijojnë punën në gatishmëri të plotë. Hidrovori i Tërbufit ndodhet në kuotën -140 cm, hidrovori i Karavastasë në -180 cm, ndërsa ai i Divjakës në -40 cm.

Sipas autoriteteve, pompat janë në funksionim me nga një ose dy njësi, në varësi të prurjeve.

Shkumbini aktualisht është rrafsh me brigjet, ndërsa situata më e ndërlikuar paraqitet në lumin Seman. Ky i fundit ka dalë nga shtrati në zonën e Ngurrëzës së Vogël deri në Imshtë, ku tokat brenda argjinaturës ndodhen në kuota të ulëta.

Mbrëmjen e kaluar mësohet se u evakuuan bagëti të imta dhe gjedhë nga zonat me rrezik, pasi pritej ardhja e prurjeve të mëdha. Aktualisht, prurjet nuk kanë arritur ende kulmin, ai parashikohet të mbërrijë pasditen e sotme, nga rrjedha e Osumit dhe baseni i tij.

Ndërkohë, prurjet nga Devolli mbeten minimale, pasi depozitohen në hidrocentralin e Banjës, i cili lëshon vetëm sasinë e nevojshme për prodhimin e energjisë, rreth 100 m³/s.

Sipas përgjegjësit të sektorit Lushnje i drejtorisë së Bordit të kullimit dhe ujitjes, inxhinierit Ferdinand Dervishi, situata është mëse normale dhe dalja e lumit nga shtrati ka përmbytur 180 hektarë toka brenda argjinaturës, ndërkohë që janë evakuuar stane me bagëti të imëta dhe gjedhë

Next