Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka ngritur akuzë të re ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Belinda Balluku, e cila u mor e pandehur për tunelin e Llogarasë, është nën akuzë dy herë për shkelje të barazisë në tendera.
Gazetarja informon se ajo dyshohet edhe për abuzim me tendera për lotin 4 të Unazës së Madhe.
GJKKO ka caktuar ndaj zv.kryeministres masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Gjithashtu është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për dy ish-vartësit e saj, drejtorit të KESH, Erald Elezi dhe kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Në një reagim për mediat, GJKKO shprehet se masat e sigurisë ndaj zv.kryeministres Balluku kanë karakter sekret.
Gjithashtu theksohet se do të ketë njoftim zyrtar nga ana e gjykatës në momentin e duhur procedurial.
“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun.
Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, thuhet në reagim.
