Pas rrëfimit të bujshëm të Arjan Konomit mbrëmjen e djeshme, ku deklaroi se u largua nga Top Channel pasi refuzoi të fshinte një postim kritik, vëmendja është rikthyer te videoja konkrete që shkaktoi këtë “tërmet” profesional.
Bëhet fjalë për një reagim të publikuar në Instagram në prill të vitit 2023, gjatë transmetimit të “Big Brother VIP 2”. Në atë video, opinionisti shprehej tejet i zhgënjyer nga niveli i diskutimit në studio, duke mos kursyer as termat e rëndë ndaj kolegëve të tij opinionistë (në atë kohë Zhaklin Lekatari dhe Arbër Hajdari).
Në videon që i kushtoi vendin e punës, Konomi shprehej: “Nuk mund t’i rezistoja dot tundimit për të bërë një koment… nuk mund të rrija heshtur dhe pa thënë që pësova një zhgënjim dhe një shije të keqe, shumë të hidhur prej sjelljes së opinionistëve gjatë spektaklit të mbrëmshëm.”
Ai theksonte se problemi nuk ishte mendimi i tyre, por niveli i ulët i komunikimit, të cilin e krahasoi me bisedat e rëndomta të rrugës.
“Teksa i dëgjoja, më dukus sikur po shikoja njerëz të rëndomtë, mediokër, që diskutojnë në një lokal periferie dhe japin e marrin, thonë e stërthonë, e kthejnë e debatojnë në mënyrën më vulgare në një spektakël,” deklaronte Konomi në videon virale.
Pikërisht këto fjalë, “mediokër”, “lokal periferie” dhe “vulgare”, ishin ato që drejtuesit e televizionit i kërkuan të fshinte, por refuzimi i tij për ta bërë këtë solli largimin përfundimtar nga ekrani i Top Channel.
