Zv.kryeministrja u pezullua nga detyra/ Plas DEBATI në komision! Kaso: Po refuzon të japë dorëheqjen, Xhafaj: Më në fund e the…

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, një debat i ashpër ka shpërthyer mes deputetit Ivi Kaso dhe ish-ministrit Fatmir Xhafaj, pas pezullimit të ushtrimit të detyrës së zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ndalimit të daljes së saj jashtë vendit.

Kaso e ka quajtur situatën “të pazakontë”, duke theksuar se është e papranueshme që numri dy i qeverisë refuzon të japë dorëheqjen pas këtij zhvillimi. Në reagimin e tij, Xhafaj i është përgjigjur Kasos, duke thënë se deklarata e tij nuk ishte në përputhje me rendin e ditës të mbledhjes dhe që nuk kishte lidhje me temën e diskutimit.

Pjesë nga debati:

Kaso: Sot mbledhja nuk mund të fillojë në mënyrë të zakonshme pasi jemi në një situatë të pazakontë. Gjendemi para një momenti shumë të rëndësishëm, zv. kryeministrja, numri dy i qeverisë, jo vetëm që është marrë e pandehur dhe është caktuar masë sigurie personale, pezullim detyre dhe bllokim pasaporte. Kjo vendimmarrje na prek dhe ne si Kuvend dhe si komision. Duhet të marrë vëmendjen e duhur, sepse pavarësisht se kënaq pritshmëritë publike që drejtësia të vërë para përgjegjësisë penale një zyrtar të përcaktuar si zyrtar i korruptuar, nga ana tjetër nuk kënaq pritshmëritë e opozitës. Një person i cili është marrë i pandehur refuzon të japë dorëheqjen, të lërë detyrën publike, nuk na lë të kënaqur opozitën që artikulon se përgjegjësia është e kryeministrit, ai duhet të merret i pandehur.

Në këtë moment, diskutimit të buxhetit, është ky fakt që na jep spunto që të rishikojmë qëndrimin tonë institucional në raport me mbështetjen që i japim institucioneve të drejtësisë, SPAK në veçanti.

Xhafaj: Kjo nuk përputhet me rendin e ditës. Më vjen keq që deklarata juaj, nuk jemi këtu për akuza apo për të folur mbi akuzat, ne jemi për të respektuar drejtësinë. Unë konstatoj një gjë pozitive, më në fund ju jeni së paku në linjën e duhur. I thoni SPAK, ndërsa kolegët tuaj Skap. Drejtësia është atje të bëjë punën e vet dhe ne këtu punën tonë. Për mbështetjen, më vjen keq. Prokuroria e Posaçme është e mbështetur si askush tjetër. Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme kanë qenë këtu dhe kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për fonde shtesë. Kur ata nuk kërkojnë t’u japim ne, ne vetëm dalim të shpërndajmë lekë rrugëve. Por kjo nuk është politikë e shëndetshme dhe në interesin e qytetarëve. Unë uroj dhe dëshiroj që ju, siç keni këtë qëndrim, ta keni dhe kur bëhet fjalë për çështje penale që drejtësia formulon për përfaqësuesit e opozitës. Drejtësia me dy standarde nuk e duam ne këtu, as qytetarët, dhe nuk është në përputhje me shtetin e së drejtës.

Next