Në dosjen voluminoze të akuzës së dytë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, që lidhet me procedurat e prokurimit për Lotin 4 të Unazës së Re të Tiranës, prokuroria ka zbardhur një sërë komunikimesh të konsideruara të rëndësishme për hetimin. Për herë të parë, mes personave të përfshirë përmendet edhe emri i biznesmenit Ilir Shtufi.
Sipas aktit të ekspertimit informatik të datës 26.09.2024, nga celulari “Blackberry” i sekuestruar ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, janë nxjerrë mesazhe që dokumentojnë komunikime të drejtpërdrejta ndërmjet Ballukut, Berberit dhe Shtufit, në prag të procedurave të tenderimit për Lotin 4.
Më datë 10 shtator 2021, Balluku i shkruan Berberit: “Hajde tek une ne 11”, vijuar nga udhëzime për t’i bërë të qartë një operatori se “Punet i ke me gimin thuaj jo me mua”.
Menjëherë pas kësaj bisede, Evis Berberi komunikon me Ilir Shtufin, i cili i shkruan: “persh si ke kan.. ilir shufi nova jam. te tak pak mkan then kure mundesh”.
Takimi, sipas mesazheve, është realizuar brenda ditës. Pas takimit me Shtufin, Berberi njofton Ballukun me mesazhin: “E takova ok”.
Në vijim, komunikimet mes tyre përqendrohen te çështje që lidhen me fituesit e mundshëm dhe konkurrencën në tender, mes të cilave Balluku i shkruan: “Ne jemi per konkurrim te mireqene dhe te paster. Pamfleti ka ti hedh nga jeta konkurrimin fitues te UK”.
Në materialin hetimor pasqyrohet gjithashtu se, përpara se të mbyllej afati i ofertave, shoqëria “Nova Construction 2021”, e lidhur në komunikim me Shtufin, kishte formalizuar marrëveshje bashkëpunimi me dy kompani të tjera për të marrë pjesë në garë, ku më pas rezultuan shpallur fituesit e procedurës./Alfapress.al
