Banorët e Borizanës protestë për guroren që u prish shtëpitë dhe u shkakton përmbytje: Merrni masa, çfarë s’po na sjellin! M*tin e Tiranës s’mund ta mbajmë dot!

Banorët e fshatit Borizanë të Krujës janë ngritur sot në protestë pas përmbytjeve dhe shkatërrimeve masive prej motit të keq të të ditëve të fundit, që u vjen nga një gurore pranë shtëpive dhe hedhja e mbetjeve të shumta (fekale e ujëra të zeza), që dyshojnë se u vjen nga zona e Tiranës.

Situata e reshjeve intensive të mesjavës, që shkaktuan anomali të ndryshme në disa zona të këtij rrethi, ka sjellë sot (22 nëntor) edhe reagimin e tyre. Në fshatin Borizanë operojnë edhe disa gurore, madje fare pranë banesave.

Pikërisht një prej tyre ka bllokuar edhe përroin, i cili si pasojë e situatës atmosferike dhe reshjeve ka shkaktuar përmbytjet.

Një gurore e cila ndodhet rreth 100 metra larg banesave dhe e cila po ju shkakton mjaft dëme e shqetësime, edhe shëndetësore. Banoret shprehen se kjo gurore ka 20 vjet që u shkatërron shtëpitë dhe pronat, edhe pse janë ankuar apo kanë bërë dhjetëra denoncime në Prokurori e Polici, si dhe në pushtetin vendor e lokal.

“Asnjë masë nuk ëhstë marrë, pavarësisht denoncimeve dhe ankesave tona. Shtëpitë vijojnë të na shkatërrohen”, shprehen banorët.

Madje disa banorë janë edhe në procese gjyqësore me kompaninë që zoteron guroren. Subjekti është në pronësi të Shpresiona Shima, e cila zotëron kompaninë “Shpresiona Albania shpk”, e cila operon në këtë vend prej rreth 20 vitesh.

Banorët thonë se gurorja ka bllokuar përroin e Maçanës, i cili buron në mënyrë natyrore fare pranë gurores. Përroi është ekzistues prej shekujsh thonë banorët dhe kishte rrjedhën e vetë, të cilën tani gurorja e ka devijuar e bllokuar, kjo ka bërë që sasi të mëdha uji të dalin nëpër rrugë e shtëpi, duke shkaktuar dëme.

Janë rreth 1200 banorë të Borizanës të cilët rrezikohen e dëmtohen në mënyrë të vazhdueshme nga shpërthimet e gurores, por edhe nga bllokimi i përroit.

“Në vitin 2018 Ministria e Mjedisit pas një peticioni të bërë nga banorët për mbylljen e gurores i ka kthyer përgjigje, duke i siguruar që gurorja do mbyllej, por edhe pse dhe pse jemi në 2025, vendimi nuk është zbatuar”, shprehen banorët.

Ata bëjnë apel që shteti të marrë masa ndaj kësaj situate, e cila çdo ditë që kalon e po kthehet në problem gjithnjë e më serioz për këta banorë.

“Shteti ose të na largojë neve nga këtu, ose të largoje guroren, pasi nuk mundemi më të jetojmë kshu, duke paguar lekë nga xhepi çdo vit për të ndrequr demet që na shkakton gurorja”, paralajmërojnë banorët.

Një tjetër problematikë që ata ngrenë është edhe transporti i dherave, inerteve dhe deri ujërave të zeza (fekaleve) nga Tirana për zonën e tyre, duke shkaktuar edhe ndotje të ambientit dhe kërcënim për shëndetin.

“Po na sjellin lloj-lloj, se ça hedhin atje lart dhe na vjen poshtë neve, na hyn nëpër shpia, era hale vjen. I hedhin atje nga Tirana, po ne m…tin e Tiranës nuk mund ta mbajmë dot!”, thotë një banor që apelon për ndërhyrje urgjente.

Next