U dha vjehërrve dozë të lartë valiumi dhe u grabiti paratë, arrestohet dhëndri! Çifti i të moshuarve në gjendje të rëndë nga intoksikimi, përfundojnë në QSUT

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Librazhd ku një 36-vjeçar u ka grabitur një shumë parash vjehërrve të tij, pasi u dha një dozë të lartë valiumi.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Opportunity”.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Librazhd, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve kundër Personit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

I dha çiftit të moshuar një dozë të lartë medikamenti qetësues (valium) dhe më pas vodhi një shumë parash në banesën e tyre; identifikohet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura dhe një celular.

Pas marrjes së njoftimit se dy bashkëshortë ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, të kryera në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit “Opportunity”, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes, si dhe identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit I. K., 36 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se autori, i afërm familjar i çiftit të moshuar (dhëndri i tyre), dyshohet se u ka administruar atyre një dozë të lartë medikamenti qetësues, të dyshuar si valium, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre. Të dy bashkëshortët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave të vjedhura dhe një celular.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Next