Policia e Librazhdit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Opportunity”, zhvilluar në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve kundër Personit të DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u arrestua shtetasi I. K., 36 vjeç, i cili dyshohet se u ka administruar një dozë të lartë medikamenti qetësues (të dyshuar si valium) një çifti të moshuar, të afërm të tij, duke u shkaktuar gjendje të rënduar shëndetësore. Pas kësaj, ai dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.
Çifti u transportua fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi shumën e parave të vjedhura si dhe një telefon celular, të dyshuar si prova materiale.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
