Zbardhen detaje nga dosja hetimore për tenderin e Unazës së Madhe, për të cilin akuzohet Belinda Balluku.
Bisedat e saj me Evis Berberin, tregojnë se ata koordinonin jo vetëm paracaktimin e fituesve, por edhe publikimin e njoftimeve për fituesit e tenderëve për lotet e Unazës së Madhe. Komunikimet e datës 1 tetor 2021, pak para se të shpallej fituesi për lotin 4 të Unazës së Madhe, zbulojnë ndërhyrjet e drejtpërdrejta të ministres për kohën se kur duhej të dilte njoftimi.
Më datë 1 tetor, Balluku i shkruan Berberit që të bëhen gati për të hënën që të shpallet fituesi. “A do t’i nxjerrësh në darkë sot? Shumë mirë. Por do të të them”, i shkruan Balluku.
Por Balluku ka edhe dyshime ndaj edhe e udhëzon Berberin që ta shtyjë shpalljen e fituesit për të mërkurën. “Të mërkurën, ikni shijoni fundjavën! Merruni me punë serioze. Ke një plehrë aty që flet”.Nga komunikimet mes Ballukut dhe Berberit, ministrja shfaqet e shqetësuar pas publikimit në media të një liste me emrat e fituesve të tenderëve tek Unaza e Madhe.
Ajo e pyet Berberin për një punonjëse të prokurimeve me emrin Miranda, duke kërkuar të verifikojë nëse dikush ka nxjerrë informacionin. Berberi e siguron se Miranda nuk ka pasur dijeni për emrat e operatorëve, ndërsa në vijim thekson se është “habitshme” sesi mund të jetë publikuar lista, pasi sipas tij vetëm ai e dinte përbërjen.
Berberi i shkruan Ballukut se “për çdo lot kanë marrë kriteret në letër pa emër”, duke treguar se si gara për fituesit e tenderëve ishte e kontrolluar që në nisje. SPAK ka dyshime se të gjithë kompanitë fituese të paracaktuara i vendosnin vetë kriteret për tenderët për çdo lot të Unazës së Madhe.
Më datë 5 tetor, Berberi i shkruan Ballukut se emisioni investigativ ‘Stop’ i ka kërkuar informacion për procedurat për lotin 1 të Unazës së Madhe. Balluku i shkruan “Të plasi trapi! Bëj punën dhe zbato ligjin. Kur të të vijë ty afati i përgjigjes, do kesh mbaruar me procedurat. Nesër publikoji te gjitha ne darke”.
Të nesërmen, në datën 06.10.2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme, Tiranë, Loti 4”.
PJESË NGA DOSJA
Në datën 01.10.2021, në orën 10:47, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin “Bëhu gati për unazat të hënën në mëngjes”. Në orën 10:48, Evis Berberi: “Njoftimin? Apo inspektim”. Në orën 10:48, Belinda Balluku: “Njoftimin more”. Në orën 10:48-10:49, Evis Berberi: “Jo sot në darkë? S’ka ndryshim?”. Në orën 10:49, Belinda Balluku: “A do t’i nxjerresh në darkë sot? Shumë mirë. Por do të të them”. Në orën 10:50, Evis Berberi: “Ok po pres po më duhen 3 orë kohë nëse ka ndryshime”. Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Asnjë ndryshim”. Në orën 10:52, Evis Berberi: “Ok”. Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Thjeshte të bëj këngën. Por jam në Kukës”. Në orën 16:12 Evis Berberi: “Unazat nga ora 10 e darkës”. Në orën 21:18, Evis Berberi: “Të vazhdojmë apo të presim për nesër”. Në orën 21:31-21:32, Belinda Balluku: “Jo, të mërkurën. Ikni shijoni fundjavën. Merruni me pune serioze. Ke një plehrë aty që flet”. Në orën 21:33, Evis Berberi: “Çfarë ka dalë. Ok të mërkurën”.
Në datën 05.10.2021, në orën 12:50, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin “Ka ardhur Stop dhe kërkon informacion për procedurën e prokurimit Loti 1 (Shqiponja). I thamë bëj kërkesë me shkrim të marrësh përgjigje e beri, kërkojnë të dinë nëse është shpallur fituesi, ka pasur ankesa, nëse nuk është shpallur pse jo? Bënë dhe një kronike jashtë dhe ikën”. Në orën 12:50-12:51, Belinda Balluku: “Të plasi trapi. Bëj punën dhe zbato ligjin. Kur te të vijë ty afati i përgjigjes, do kesh mbaruar me procedurat. Nesër publikoji të gjitha në darkë”./© SYRI.net

