GJKKO ka konfirmuar në rrugë zyrtare se masat e sigurisë të mbeten në fuqi.
Sipas informacionit të gazetares së News24, Klodiana Lala, Balluku do ta ankimojë masën, pasi ajo nuk lejohet të hyjë në zyrën e saj në ministrinë e Infrastrukturës dhe në kryeministri.
“Belinda Balluku do të qëndrojë në masën e sigurisë së pezullimit nga detyra, bllokimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit. Pritet që ministrja Balluku ta ankimojë masën e sigurisë pasi ajo nuk shkon dot në zyrë dhe as nuk ushtron dot detyrën.
Ministres do i duhet të presë masën e apelimit në shkallën e dytë dhe shqyrtimin e kërkesës së Kryeministrisë nga Kushtetuesja për kompetencat mes Qeverisë dhe GJKKO për masën e pezullimit të një ministri.
Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, kanë mbetur masat në fuqi, arrest shtëpie.
Gjyli refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Ata nuk kanë dhënë asnjë reagim pas përfundimit të seancës për konfirmimin e masave paraprake të vendosura nga GJKKO.
Ka pasur debate gjatë seancës së masës së sigurisë me diskutime të forta juridike. Balluku ka pasur përveç të motrës Pamela Qirko edhe avokatin Ardian Kalija, që kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë.
Para seancës GJKKO i dha afat palëve që të njiheshin me aktet e dosjes pas kërkesës së bërë, ndërsa seanca rinisi më vonë dhe përfundoi në orët e pasdites. Balluku nuk dha asnjë shpjegim në dy hyrjet dhe daljet nga godina e GJKKO-së, duke mos bërë as komente.
Aktualisht pritet zbardhja e vendimit të gjyqtarit Çela, ku do shpjegohet përse janë vendosur këto masa, cilat ishin pretendimet e palëve dhe provat bazë të SPAK-ut për të dhënë masat shtrënguese ndaj zv/kryeministres.
Sipas procedurës konfirmimi i masave duhet të bëhej brenda tre ditësh. Kurse Balluku, sipas gazetares Lala, nuk del dot jashtë vendit pa lejen e SPAK, pasi do i duhet të kalojë në Pikën Kufitare dhe të regjistrohet në hyrje-dalje dhe ka ndalesë nga ana e SPAK-GJKKO.
Përfundimisht GJKKO ka vlerësuar të ligjshme kërkesat dhe masat shtrënguese të kërkuara nga SPAK edhe gjatë seancës së sotme të konfirmimit dhe dëgjimit të palëve.
Këto masa nuk prekin funksionet e Ballukut si deputete, pra si e zgjedhur, por vetëm si zv/kryeministre dhe ministre. Pas kësaj mase Balluku duhet të japë dorëheqjen vetë, ose ta shkarkojë kryeministri Rama, për të zgjedhur një emër tjetër si zv/kryeministre pasi është pozicion kushtetues dhe qeveria nuk mund të lihet pa zëvendës”, tha Lala./BalkanWeb
