Një pasagjer i moshuar është zhdukur në det pasi ka rënë nga anija turistike Disney Wonder gjatë një udhëtimi për në Zelandën e Re.
Burri 73-vjeçar nga Melbourne ra nga anija rreth orës 4:30 të mëngjesit të shtunën, ndërsa po udhëtonte drejt Aucklandit.Anija ktheu kursin në Detin Tasman dhe ekuipazhi kaloi rreth pesë orë duke kërkuar në ujë, përfshirë përdorimin e kamerave termike, por nuk arriti ta gjente pasagjerin. Pasagjerët vunë re për herë të parë ndryshimin e kursit rreth mesditës, ndërsa ekuipazhi njoftoi se kërkimi ishte pa rezultat.
Pasagjeri Mitch Talbot i tha 7News: “Kapiteni erdhi dhe njoftoi se një pasagjer kishte rënë në det, por se nuk ishin në gjendje ta gjenin. Ishte një situatë shumë e zymtë dhe frikshme për pjesën tjetër të ditës. Shumë nga stafi morën pak kohë për t’u rikuperuar.”
Anija “Disney Wonder” është rikthyer në rrugën e saj dhe pritet të arrijë në Zelandën e Re, një ditë më vonë se sa ishte planifikuar, duke përfunduar udhëtimin pesë-netësh Melbourne–Auckland. Kjo është një nga kroçerat e fundit që Disney do të operojë në Australi, ndërsa anija mund të transportojë deri në 1,750 pasagjerë në 11 kuverta.
