Shkëlqeu me Kombëtaren, dy klubet e njohura angleze kërkojnë Arbër Hoxhën

Janari po afron dhe merkatoja pritet të ndizet fort për Arbër Hoxhën. Anësori i Kombëtares shqiptare është futur fuqishëm në fokusin e futbollit anglez, me Sheffield United dhe Hull City që janë vënë në garë të hapur për të siguruar shërbimet e 27-vjeçarit.

Sipas Sportsboom, të dy klubet po përgatiten të paraqesin oferta konkrete në merkaton e dimrit. Forma e shkëlqyer e Hoxhës, si me Dinamo Zagreb ashtu edhe me Shqipërinë, ka rritur ndjeshëm kërkesën për të në treg.

Sheffield United duket se ka një avantazh fillestar falë kapaciteteve më të mëdha financiare, faktor që mund të peshojë shumë në negociatat e fundit. Nga ana tjetër, Hull City mbështetet te një armë e fortë: trajneri Sergej Jakirović. Kroati e njeh mirë Hoxhën nga periudha te Dinamo Zagreb, ku anësori regjistroi 31 ndeshje, 4 gola dhe 3 asistime nën drejtimin e tij. Jakirović ka tentuar ta marrë edhe gjatë kohës te Kayserispor, dhe tani kërkon ta sjellë në EFL Championship duke shfrytëzuar raportin e tyre të mirë.

Megjithëse Dinamo Zagreb nuk e ka nxjerrë në shitje lojtarin—sidomos pas rinovimit të kontratës deri në 2029—paga e tij relativisht e ulët, rreth 500 mijë euro në vit, e bën një objektiv të realizueshëm për klubet angleze.

E ardhmja mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt: Arbër Hoxha është një nga emrat më të nxehtë të merkatos së janarit.

Next