Policia e Durrësit ka vënë në pranga 29-vjeçarin Arbër Tivari, i cili edhe pse në masën arrest shtëpie, rezulton që të jetë autor i disa vjedhjeve në qytetin bregdetar.
Tivari është i njohur për aksidentin e rëndë që shkaktoi 3 vite më parë në autostradën Tiranë-Durrës, ku humbën jetën dy vajzat e reja Silva Gjergji, 26 vjeçe dhe Roxhesa Klironomi, 24 vjeçe.
Viktimat ishin pasagjere në automjetin që drejtohej nga Tivari, i cili gjithashtu ka precedent të mëparshëm për armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i Policisë
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kryente vjedhje në lokale, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë; identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari.
Në pranga edhe njëri nga bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.
Sekuestrohet një automjet dhe veshjet që këta dy shtetas përdornin për t’u maskuar kur kryenin vjedhje.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Masa”, identifikuan, lokalizuan dhe ndaluan shtetasit: A. T., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës, i dënuar më parë dhe aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për një aksident rrugor me pasojë jetën, i ndodhur në vitin 2022. M. Ç., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 8 Durrës.
Ndalimi i këtyre dy shtetasve u bë pas një pune intensive të ndjekur nga ana e specialistëve të Hetimit të Krimeve, ku ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim edhe me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 18.11.2025, gjatë natës, në lagjen nr. 18 Durrës, në lokalin e shtetasit L. K., kanë vjedhur sende të ndryshme brenda lokalit, me vlerë 3 000 000 lekë të vjetra.
Në vijim të operacionit, u bë e mundur gjetja e automjetit që këta shtetas kishin përdorur për të transportuar sendet e vjedhura, si dhe rrobat që autorët kanë përdorur në vjedhje.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorit të tyre, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
