Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, regjistroi një tjetër procedim penal ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe zëvendësit të saj në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
Regjistrimi i procedimit penal u bë me dije përmes një shkrese të rrjedhur në media, e nënshkruar nga prokurori i SPAK, Adnan Xholi dhe drejtuar Adriana Kalasë në cilësinë e kallëzueses. Koordinatorja për mediat e SPAK konfirmoi autenticitetin e dokumentit, por nuk bëri me dije më shumë të dhëna për shkak të sekretit hetimor.
Në shkresën e SPAK sqarohet se, bazuar në kallëzimin e kryer nga Kalaja kundër Belinda Ballukut, Ceno Klosit dhe personave të tjerë, është regjistruar procedimi penal nr.95 i vitit 2025. Po ashtu bëhet me dije se një material kallëzues shtesë është protokolluar më 16 shtator dhe është administruar në kuadër të këtij hetimi. SPAK konstaton se procedimi penal është në fazën e hetimeve paraprake.
Pas kryerjes së kallëzimit penal shtatë muaj më parë, denoncuesja Adriana Kalaja deklaroi për mediat se kallëzimi lidhet me një skemë të dyshuar të një grupi të strukturuar kriminal, nën drejtimin e Ballukut dhe Ceno Klosit, të cilat përmes kompanive të tyre private akuzohen se kanë zhvatur fondet publike, pasi rezultojnë përfituesit kryesorë të tenderave që jepnin insitucionet që të kallëzuarit drejtonin.
Aktualisht Balluku është marrë e pandehur për paracaktimin e dy tenderave me vlerë totale mbi 210 milionë euro; atë të tunelit të Llogarasë si dhe njërin prej tenderave për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj. Të pandehur për këto çështje janë edhe ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi; drejtori aktual i këtij institucioni, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, me funksion administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Këta dy të fundit janë vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa Berberi është arrestuar më parë për abuzime të tjera me fondet publike./BIRN
