Emri i Julit të Pashakos, personit që sot mbeti i plagosur lehtë në Lushnjë, del edhe në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani.
Sipas tij, Julian Sula alias Juli i Pashakos, ka marrë porosi nga Dubai për të vrarë, Andrea Çaushin që njihet ndryshe si “Renato i Kalivaçit”, shkruan ‘Syri.net”.
“…Porosinë Juli e kishte marrë vetë por më pas ja kaloi, Laert Haxhiut…”, ka treguar i penduari i SPAK, Artan Tafani.
Porosinë për vrasje më tej e mori Laert Haxhiu dhe njeriu që interesohej për të goditur Renato Çaushin, ishte një tjetër Renato nga Tepelena, që thirrej “Renato i Vogël” dhe aktualisht jeton në Dubai.
“…’Reno i vogël’ këtë ngjarje ia kishte kërkuar Julit të Pashakos për ta kryer. Reno mesa di unë Julin e ka shok. Gjithashtu Juli më parë kishte patur shoqëri të ngushtë edhe Renato Kalivaçit alias Andrea Çaushin, prandaj nuk e mori përsipër. Por ja ka dhënë si porosi Laertit, ndaj dhe ne filluam përgatitjet…”, ka treguar i penduari Artan Tafani.
Në dëshminë e tij të dhënë para prokurorit të Elbasanit, Kreshnik Ajazi dhe drejtuesit të hetimeve për krimet e rënda, ndër të tjera Artan Tafani ka treguar se:
“…në shkurt 2023 mbaj mend që kam qenë me Firdeus Berberi dhe Laert Haxhiu. Shofer ishte Laerti dhe po ecnim me automjetin Benz ML që thashë më sipër. Makina që pikasëm ishte Benz C 220 gri dhe ishte e parkuar anës rrugës. Pasi e pikasëm, Laerti na la 500 metra para saj dhe unë dhe Firdeus shkuam tek mjeti dhe pamë që aty ndodhej vetëm një djalë i ulur si shofer i cili në dukje po konsumonte kokainë. Unë i shkova tek xhami, isha i armatosur me pistoletë, por se mbaj mend tamam çfarë pistolete. Dhe Firdeus kishte pistoletë, por nuk e nxorri. Unë armën e mbaja në dorë dhe dorën poshtë, nuk e di nëse ai e pa armën, unë i rashë xhamit dhe iu prezantova si Polic dhe i thashë të dilte nga makina për kontroll. Ai doli, unë hipa si shofer dhe Firdeus u ul pasagjer përpara. Këtë makinë unë, Firdeusi dhe Laerti e kemi çuar në Tepelenë, ka ndenjur atje 15-20 ditë parkuar sepse do përdorej për një ngjarje tjetër kriminale…”.
I penduari tregon se: “…konkretisht me aq sa biseduam në atë periudhë, kam dëgjuar nga Laerti se do vritej Renato Kalivaçi alias Andrea Caushi dhe ky do vritej për llogari të një personi që i thërrasin Reno i Vogël dhe jeton në Dubai…”.
Sipas tij “Reno i vogël” këtë ngjarje fillimisht ia kishte kërkuar “Julit të Pashakos”, për ta kryer, sepse Reno – Julin e ka shok. Gjithashtu Juli më parë kishte patur shok edhe Renato Kalivaçin (Andrea Caushi) prandaj nuk e ka marrë përsipër, duke ja transferuar si porosi Laert Haxhiut.
“… për këtë punë unë kam shkuar 2 herë në Sarandë, sipas porosisë së Laertit, me automjet për të parë mundësinë për të gjetur Renaton me qëllim për ta vrarë. Njëherë mbaj mend që kam shkuar me Laertin dhe njëherë tjetër me Laertin dhe Fation Veliun. Pas 15-20 ditëve duke qenë se nuk e kam gjetur Renato Kalivaçin, shkova e mora unë benzin gri në Tepelenë dhe e lashë te garazhdi, ku e gjeti Policia e Tiranës, pas grabitjes me armë që bëra në “Astir” dhe ngjarja për vrasjen e Andrea Çaushit, nuk u krye. Për shtetasin me emrin “Reno i vogël”, unë personalisht nuk e njoh dhe nuk e kam takuar ndonjëherë por vetëm e kam dëgjuar nga Laerti, që quhej ‘Reno i vogël’”, ka treguar Artan Tafani.
