E marta e “zezë” , atentati i armikut të Aldo Bares “fotokopje” me plumbat e derdhur mbi Gilmando Danin dhe Muçin, autorët ndoqën të njëjtën skemë si në Rinas

Detaje të reja kanë dalë lidhur me atentatin e regjistruar paraditen e kësaj të marte në hyrje të Lushnjes ku shënjestër ishte armiku i Aldo Bares, 45-vjeçari Juljan Sulo ose i njohur ndryshe me nofkën “Juli i Pashakos”.

Rreth orës 10:40 të kësaj të marte Sulo sapo kishte lënë banesën e tij në Karbunarë dhe kishte udhëtuar drejt Lushnjes, pa e ditur se do të binte pre e një atentati.

Burime për mediat bëjnë me dije se tre persona të maskuar i kishin ngritur pritë në afërsi të Stadiumit të qytetit. Sapo panë automjetin e 45-vjeçarit atentatorët zbritën nga mjeti i tyre i parkuar dhe qëlluan me breshëri në drejtim të Sulos.

Ky i fundit në përpjekje për t’i shpëtuar plumbave ka kthyer automjetin me shpejtësi dhe është larguar sërish drejt banesës, aty ku dhe u gjet më pas nga policia. Si pasojë e këtij sulmi Sulo mori një plumb në këmbë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Lifaj aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën. Në brendësi të të cilit policia gjeti një kallashnikov dhe një pistoletë që dyshohet se u përkiste autorëve të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vlen të theksohet që në momentin që ndodhi atentati zona ishte e populluar me njerëz. Një skenë kjo e përsëritur në vetëm pak javë në Shqipëri. Kujtojmë se jo më larg se disa javë më parë, më 11 tetor, e cila si për koicidencë ishte po ditë e martë, në rrethrrotullimin e Rinasit iu bë atentat Gilmando Danit dhe Muçi Shlijanit, të cilët fatkeqësisht humbën jetën.

Po atë ditë u përdor e njëjta skemë, atentatorët të parkuar me mjetin e tyre duke pritur “prenë”. Sapo panë që Muçi dhe Dani po afroheshin me “Benzin” e bardhë, zbritën nga mjeti i parkuar dhe qëlluan me breshëri plumbash dhe duke i siguruar që “shënjestra” e tyre ishte ekzekutuar.

Next