Eksperti i ekonomisë Azmi Stringa ka komentuar në një studio televizive, debatet e fundit për presionin ndaj institucioneve të drejtësisë.
Ai theksoi se politika shqiptare rrezikon të futet në një përballje të ashpër, në një luftë, nëse sfidohen strukturat e ndërtuara me mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Stringa paralajmëroi se çdo tentativë për sabotim do ta vendoste Shqipërinë në një situatë shumë të vështirë, ndërsa nënvizoi se aleatët perëndimorë kanë mjetet dhe fuqinë për të reaguar ndaj atyre që kërkojnë të ruajnë interesat personale.
Pjesë nga biseda:
Stringa: Hapi tjetër që mund të bëjë politika është të bëhemi të gjithë bashkë, t’i tregojmë shqiptarëve fytyrën e vërtetë të atyre që janë kundra kësaj dhe po e bëjnë për të mbrojtur veten e tyre.
Borakaj: Mund ta bëjnë, ose mund ta lënë ndërkombëtarët ta bëjnë. Pra, ata të cilët kanë harxhuar deri tani miliona euro për ta krijuar këtë strukturë mund të heqin dorë dhe të thonë: “Ok, bëni çfarë të doni.”
Stringa: Po, do shkoni në luftë frontale, pastaj totale, do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion shumë të vështirë. Unë besoj që ndërkombëtarët i kanë këto mjete për të marrë masa ndaj tyre. Ata mund të bëjnë dhe si Enver Hoxha, duke i mbajtur gjithë kohës në Shqipëri, mos të dalin jashtë kufijve fare. Në qoftë se duam, fatkeqësia do jetë mbi ne. Në qoftë se ajo gjë ndodh, duhet të na bëjë neve të shqetësohemi, se kemi pasur raste të tjera. Unë besoj që ndërkombëtarët kanë fuqi, sepse kjo strukturë është krijimi i tyre. U krijua një përshtypje, në qoftë se e mbani mend, që krijoi pak dilemë.
Borakaj: Me fondet e amerikanëve, me ndërprerjen e fondeve.
Stringa: Dhe u dha kjo përshtypja nga keqinformimi, që gjoja e prenë për këtë, e prenë për atë, ia prenë SPAK-ut, s’ia prenë SPAK-ut. Kur në fakt, ai vendim ia preu të gjithë botës nëse bënte rishikimin. Dhe faktet treguan që këtyre iu hapën më tepër mundësi, fonde, pasi ishte një politikë e ndryshimit të tyre. Unë kam një parim që përdor, që ma kanë mësuar në Amerikë, është mos e ndrysho strategjinë pa t’u mbushur mendja, pa pasur evidenca të mjaftueshme që disa gjëra kanë ndryshuar një herë e mirë.
