Droga me logon e “Rolls Royce”/ PAMJET e operacionit në Itali, si u godit mafia shqiptare

Pamjet që shikoni në videon e mëposhtme janë nga operacioni i përbashkët antidrogë i SPAK me Prokurorinë e Brescias në Itali, në kuadër të së cilit janë lëshuar 21 urdhër-arreste.

Në pamjet e siguruara nga operacioni shihen kontrolle me qen antidrogë, ndërsa droga e sekuestruar ishte e paketuar me logon e markës së njohur britanike ‘Rolls Royce’.

Hetuesit bënë me dije se bazat e grupit kriminal shqiptar ishin në Rovato dhe Palazzolo, ndërsa importi i drogës dhe operacionet e mëvonshme të trafikimit ishin në duart e klaneve shqiptare.

Sipas mediave italiane, kokaina mbërrinte nga Amerika e Jugut, ndërsa heroina nga Shqipëria. Transporti kryhej përmes kamionëve dhe autobuzëve, ndërsa të shpeshta ishin rastet kur shoferët nuk kishin dijeni për krimin që po bënin.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 550 mijë euro, 10 automjete, një pistoletë dhe rreth 130 kilogramë lëndë narkotike, me vlerë të përafërt 12 milionë euro në treg. Mbi 35 kontrolle janë kryer në të gjithë territorin italian në kuadër të këtij hetimi.

Ndërkohë mes të arrestuarve ishte dhe Oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj i cili akuzohet si i lidhur me grupin kriminal. Igli Haxhiaj dyshohet për disa vepra penale si nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Next