Akuzohet për përfshirje në grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës, lihet në burg oficeri i Antiterrorit Igli Haxhiaj

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e arrestit me burg për policin e Antiterrorit Igli Haxhiaj, i cili u arrestua pas goditjes së klaneve të mafies shqiptare të përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt Italisë.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura këtë të premte, ndërsa trupi gjykues konfirmoi vendimin e arrestit të dhënë më herët ndaj tij në mungesë.

Hetimet e SPAK zbuluan se Haxhiaj, gjatë kohës që shërbente në Forcat Operacionale, kishte nxjerrë sekrete hetimore dhe ishte korruptuar nga anëtarë të një grupi kriminal, duke u vënë në shërbim të tyre.

Oficeri i Antiterrorit u arrestua pasi akuzohet si i lidhur me grupin e goditur nga SPAK në bashkëpunim me palën italiane.

Igli Haxhiaj dyshohet për disa vepra penale si nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Mësohet se në aksionin e përbashkët mes prokurorisë së Breshias dhe SPAK është goditur mafia shqiptare, e cila sipas mediave italiane, është përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt shtetit fqinj.

Bazat raportohet se ishin në Rovato dhe Palazzolo, sipas hetimeve të Policisë së Breshias.

Transportimi i drogës dhe operacionet e mëvonshme të trafikimit ishin në duart e klaneve shqiptare.

Prokuroria italiane ka lëshuar 22 masa sigurie, ku 8 persona janë arrestuar në Breshia. Ndërkohë në total 49 persona janë marrë nën hetim, 46 prej të cilëve shqiptarë.

Giornale di Brescia raporton se u sekuestruan afërsisht 3 milionë euro, të ardhurat të përfituara nga aktivitete të paligjshme të klaneve shqiptare.

Sipas hetuesve, droga gjeneroi fitime prej afërsisht 12 milionë eurosh. Kokaina mbërriti në Itali nga Amerika e Jugut, ndërsa heroina nga Shqipëria.

Nga hetimi u zbulua se shoferët e autobusëve që nuk ishin në dijeni se po transportonin drogë.

Next