U ekzekutua me dy plumba në kokë brenda Range Rover, detaje nga ekzekutimi i biznesmenit me dy identitete! Pak ditë më parë ishte përfshirë në një konflikt

Një ngjarje e rëndë tronditi vendin mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), ku u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover, biznesmeni Mondi Mehalla alias Edmond Hyka.

Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit.

Sipas të dhënave paraprake, viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri. Ai ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Burime policore bëjnë me dije se automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.

Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçari i vrarë mbrëmjen e të dielës kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Ndërkohë mësohet se gjatë mesjavës që lamë pas ai ishte përfshirë në konflikt me disa persona, pistë të cilën grupi hetimor po e konsideron si të mundshme në zbardhjen e motivit të ngjarjes. Panorama

Next