Me tepër se 4 postblloqe janë ngritur në Korçë, Pogradec e Devoll pas ngjarjes ku mbeti i vrarë biznesmeni nga Elbasani, Mondi Mëhalla.
Direktiva që oficerët e policisë kanë marrë është kontrolli i mjeteve Audi me ngjyrë të zezë, pasi dyshohet se pas ngjarjes autorët e vrasjes të kenë lëvizur drejt Librazhdit ndaj juglindja mbetet një “derë” kryesore në rast se do duan të kalojnë drejt Greqisë.
Burime nga policia bëjnë me dije se kontrolli do të vijojë edhe për personat që disponojnë armë pa leje apo mjete të tjera të ndaluara.
Biznesmeni Mondi Mëhalla u gjet i vrarë mbrëmjen e të dielës brenda makinës pranë karburantit të tij në Elbasan.
Mësohet se 43-vjeçari sapo kishte dalë nga zyra e karburantit dhe ishte futur në automjet. Autorët kanë qëlluar tre herë me pistoletë në drejtim të tij, ndërsa dy prej plumbave e kanë goditur në kokë.
