Detaje të reja dalin nga ekzekutimi i biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, që u vra me dy plumba në kokë mbrëmjen e djeshme (30 Nëntor) në Elbasan.
Raportohet se një nga autorët ka dalë nga mjeti tip Audi dhe iu është afruar biznesmenit që sapo kishte hipur në Range Rover duke qëlluar 3 plumba në drejtim të tij.
Dy prej plumbave e kapën 43-vjeçarin në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë mjeti i autorëve u gjet në fshatin Marikë të Librazhdit, ndërsa brenda tij mësohet se nuk kishte armë.
43-vjeçari u ekzekutua brenda në automjetin tip Range Rover të parkuar pranë karburantit të tij, rreth orës 20:35.
Sipas të dhënave paraprake, Mehalla sapo kishte dalë nga zyra e tij, në godinën ku ndodhen bizneset dhe banesa e nënës së tij.
Në momentin që është futur në automjet, ai është qëlluar me armë zjarri duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për këqyrjen e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.
Dyshohet për atentat mafioz
Dinamika ngjarjes është vlerësuar nga ekspertët si një ekzekutim tipik mafioz, por mund të rezultojë edhe vrasje për shkak të një konflikti të ndodhur mesjavën e fundit për motive ende të paqarta.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje, duke ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha daljet e qytetit. Vijojnë kontrollet intensive në terren, në banesa, ambiente të ndryshme dhe rrugë dytësore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Burime policore bëjnë me dije se automjeti i përdorur nga atentatorët ka qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd, ku edhe u gjet i djegur në Mirakë.
E shkuara e 43 vjeçarit
Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçari kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Po ashtu, mësohet se ai ishte përfshirë në një konflikt disa ditë para vrasjes, pistë që po konsiderohet seriozisht nga grupi hetimor si e mundshme lidhur me motivin e ekzekutimit.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.
