Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën “Dom Nikollë Kaçorri”, ku një 15-vjeçar është plagosur me thikë pas një sherri me bashkëmoshatarët e tij. Babai i djalit të plagosur ka dhënë një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24, duke rrëfyer detaje të ngjarjes dhe gjendjen e të birit.
Sipas babait, i cili mori lajmin për plagosjen nga një shok i djalit, incidenti ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje verbale.
Babai i 15-vjeçarit shtoi se dyshon për identitetin e autorit, duke theksuar se ka parë shenja në kokën e të dyshuarit. Megjithatë, ai ka siguruar se djali ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është duke u trajtuar në spital.
“Për plagosjen e djalit më lajmëroi një shok. Kanë qenë të paktën tre veta të përfshirë. Djali im nuk ka qenë protagonist, ka qenë një tjetër. Dyshoj për autorin sepse e kam parë me shenja në kokë. Jam i lodhur psikologjikisht. Më kanë lajmëruar mua të parin nga familja.”, tha babai i të miturit.
