Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë iu referua Komisionit të Venecias dhe Gjykatës së Strasburgut, që sipas tij një gjykatë nuk mund të pezullojë një ministër.
Bardhi me anë të një postimi në Facebook thekson se “e kundërta e asaj që Rama thotë është e vërtetë”.
Gazment Bardhi shkruan se Rama iu referua Komisionit të Venecias dhe Gjykates se Strasburgut, por pa emer të ndonjë opinioni apo vendimi, ndërsa theksoi se “është në hall të madh sepse Balluku e mban peng me aferat e përbashkëta korruptive”.
“Prandaj edhe gënjen publikisht me shpresën se do të ndikojë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese duke iu referuar opinioneve apo vendimeve imagjinare të Komisionit të Venecias apo Gjykatës së Strasburgut”, shkruan Bardhi.
Reagimi i Gazment Bardhit
Avokati–piktor i Belinda Ballukut iu referua dje Komisionit të Venecias dhe Gjykatës së Strasburgut, por pa përmendur as numër, as datë e as emër të ndonjë opinioni apo vendimi. Madje referenca të tilla nuk gjenden as në kërkesën që i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Arsyeja është e thjeshtë dhe e kuptueshme. E kundërta e asaj që ai thotë është e vërtetë.
E vërteta është që Komisioni i Venecias në një Opinion të tij CDL-AD(2013)001, ka thënë tërësisht të kundërtën e asaj që Edi Rama shpreh, duke konkluduar parimisht në këto standarde:
Rregullat dhe procedurat mbi përgjegjësinë, si ligjore ashtu edhe politike, në shumicën e sistemeve kushtetuese janë të ndryshme për secilën nga këto tre kategori (kreu i shtetit, deputetët, ministrat). Si krerët e shtetit ashtu edhe deputetët shpesh (edhe pse për arsye të ndryshme) gëzojnë një shkallë më të lartë imuniteti nga përgjegjësia ligjore sesa ajo që u jepet zakonisht ministrave të qeverisë.
Shumica e vendeve kanë rregulla të posaçme mbi imunitetin ligjor për krerët e shtetit (mbretër dhe presidentë) dhe për anëtarët e parlamentit, por rregullat mbi imunitetin për ministrat e qeverisë janë më pak të zakonshme dhe, nëse ekzistojnë, shpesh janë më pak gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë që mund të ketë arsye të vlefshme për të dhënë një shkallë të caktuar imuniteti ligjor për deputetët dhe krerët e shtetit, këto arsye nuk mbulojnë në të njëjtën masë ministrat e qeverisë. Procedurat speciale nuk duhet të interpretohen në mënyrë që të sigurojnë një imunitet të gjerë procedurial për ministrat që kanë shkelur qartë ligjin.
Vendimi për të nisur procedura penale ndaj një ministri (aktual ose ish) shpesh ka pasoja serioze për personin e përfshirë, pavarësisht nëse gjendet fajtor. Në vendet ku kjo trajtohet nga prokurori i zakonshëm, është e rëndësishme që ky institucion të jetë në gjendje të ushtrojë diskrecion të shëndoshë dhe të mos ndjekë akuza të pabazuara që vijnë kryesisht për arsye politike. Nga ana tjetër, është po aq e rëndësishme që autoritetet prokuroriale të mos intimidohen ose udhëzohen nga qeveria (ose aktorë të tjerë) për të mos ngritur akuza në raste ku ka arsye të forta për të besuar se ministri ka shkelur ligjin.
Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias ka dhënë opinione dhe rekomandime shteruese për Republikës e Kosovës në opinionin CDL-AD(2020)008 lidhur me pezullimin e zyrtarëve publikë, duke u shprehur:
Komisioni e quan pezullimin një masë të ligjshme, efektive dhe të mbështetur nga standardet ndërkombëtare, sidomos në luftën kundër korrupsionit. Komisioni thekson se kjo masë mbështetet nga UNCAC (Konventa e OKB-së kundër Korrupsionit), e cila rekomandon që zyrtarët nën hetim mund të “pezullohen ose shkarkohen duke pasur parasysh edhe prezumimin e pafajësisë”.
Komisioni thotë se pezullimi nuk duhet kufizuar vetëm te zyrtarët që kryejnë krime që lidhen me funksionin publik, por mund të aplikohet edhe për çdo vepër penale, nëse ekziston rrezik i:
pengimit të drejtësisë
ndikimit te dëshmitarët
shkatërrimit të provave.
Pra, nuk ka asnjë kufizim që ndalon pezullimin e anëtarëve të qeverisë.
Komisioni thekson se kjo masë është shumë serioze dhe duhet të shoqërohet me kritere të forta që lidhen kryesisht nëse i dyshuari, i akuzuari ka: rrezik të shkatërrojë prova; rrezik të ndikojë te dëshmitarët; rrezik të përsërisë veprën.
Në opinionin për Kosovën, Komisioni ka shkuar më tej duke rekomanduar që pezullimi të jetë i mundur për të gjithë “personat zyrtarë” përfshirë: ministra; anëtarë qeverie; zyrtarë të lartë; çdo person që ushtron autoritet publik, madje edhe personat e zgjedhur.
Avokati-piktor i Belinda Ballukut është në hall të madh sepse ajo e mban peng me aferat e përbashkëta korruptive. Prandaj edhe gënjen publikisht me shpresën se do të ndikojë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese duke iu referuar opinioneve apo vendimeve imagjinare të Komisionit të Venecias apo Gjykatës së Strasburgut.
