Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti gënjeshtër pretendimin e kryeministrit Edi Rama se ishte shkelur ligji dhe Kushtetuta me pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe, për shkelje të barazisë në tenderë.
Sipas kreut të selisë blu, Rama gjeti një pretendim se nuk e linte ligji që të shkarkonte zëvendësen e tij, teksa iu kthye edhe historisë së takimit që zgjati 7 orë në Kryeministri pas masës së GJKKO-së ndaj Ballukut me kërkesë të SPAK.
Ai deklaroi se ndërsa Rama nuk e shkarkoi Ballukun, thirri në zyrë si ndërmjetës edhe ish-ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe aty ka pasur debate mes deputetit dhe ministres, ku kjo e fundit i ka folur edhe me kode.
“Bien dakord të thërrasin të dy Uluziun si urë. E kapët ju dhe me kamerat tuaj dhe pas një farë kohe u fut atje. U thirr në zyrë nga Rama pas takimit me Ballukun. Uluziu natyrisht mbajti anën e Ramës. E çfarë i tha Lubia? I tha më shiko pak në sy kur flas, më shiko pak në sy! E meku, e qepi! Muret nuk kanë vetëm veshë, kanë edhe sy”, u shpreh Berisha, duke bërë publike detaje të tjera nga biseda e pretenduar në zyrën e Ramës mes të treve.
Më parë Berisha ishte shprehur se Balluku e kishte kërcënuar Ramën duke i thënë se “nuk ishte qurrashi i Bashkisë” apo se “mund ta merrte me vete”.
