Zyra e Prokurorit Publik Evropian ka konfirmuar se ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini, po përballet me akuza për korrupsion dhe mashtrim, në kuadër të një hetimi që çoi këtë javë në ndalimin e tre personave në Belgjikë.
Ndalimet u kryen të martën, pas bastisjeve në zyrat e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së në Bruksel dhe në godinat e Kolegjit të Evropës në Bruges, institucion ku Mogherini aktualisht shërben si rektore.
Sipas EPPO-së, Mogherini, një anëtare e lartë e stafit të Kolegjit të Evropës dhe një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian u ndaluan dhe u morën në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore belge. Të treve më pas iu komunikuan akuzat zyrtare, përfshirë mashtrim në procedurat e prokurimit, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata u lanë të lirë, pasi nuk konsiderohen rrezik ikjeje.
Hetimet përfshinë kontrolle në pronat e të dyshuarve, në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës dhe në selinë e EEAS-it në Bruksel. EPPO deklaron se ka “dyshime të forta” për parregullsi në tenderin për menaxhimin e një programi trajnimi të Akademisë Diplomatike të BE-së gjatë viteve 2021–2022, program i dedikuar për diplomatët e rinj.
